Vincenzo Montella dhe Milani i tij: Një kaos total, në momentin që do merrnim sulmues, zbulova se na kishte mbaruar buxheti

25/11/2026 19:23

Vincenzo Montella kujton periudhën kur ishte në pankinën e Milanit. Në një intervistë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’, ish trajneri i kombëtares turke ndër të tjerat pranoi se kur ishte fëmijë ka qenë një tifozë i kuqezinjve.

‘Kam dëshirën të bëj të ditur se ishte ëndrra ime. Që fëmijë kam qenë tifoz i Milanit të kampionëve, admiroja shumë Van Basten-tregon Montella-Berlusconi ishte një zotëri, edhe pse shpesh donte të ndikonte te zgjedhjet. Ishte mësuar me një skuadër ‘Topash të Artë’, por ne nuk i kishim. Duke bërë shaka i thosha se nëse ma blinte një, do të luaja një futboll sulmues edhe unë’

Në mënyrë të veçantë, Montella foli për verën kur qarkulluan lajmet për një transferim të Cristiano Ronaldos dhe për ‘gjëra formale’.

‘Nuk e kujtoja as si frazë-vijoi Montella-dukej më shumë si një slogan reklamash sesa mesazhe konkrete. Vitin paraardhës kishim fituar Superkupën ndaj Juventusit me penallti. Një sezon më pas pati shumë rrëmujë; ndryshimi i pronësisë, shumë lojtarë të rinj dhe një kaos i përgjithshëm përsa iu përket blerjeve. Nuk kemi pasur gjithnjë të njëjtin mendum, shumë herë as nuk konsultohesha. Mendo që në momentin që do blinim një sulmues, zbulova se nuk kishim më buxhet, ndërkohë që ai ishte një prej pozicioneve ku duhej ndërhyrë. Morëm Kalinic për 15 milionë, ishte e vështirë të bënim më shumë’.

Montella foli edhe për Milanin aktual duke vlerësuar punën e bërë nga Ruben Amorim

‘Loja e Amorim më bindi, duhet lënë i lirë që të imponojë idetë e tij-shtoi Montella-më pëlqen edhe Gonçalo Ramos por ka nevojë për kohë. Nuk është e thënë se meqë paguan për ty 70 milionë euro, automatikisht duhet të shënosh 20 gola që në pjesën e parë të sezonit. Duhet kohë dhe besim, ai mund të bëjë mirë edhe si sulmues i vetëm ashtu edhe me një tjetër përkrah’.

Top Channel