Mariah Carey bëhet sërish Barbie, publikohet kukulla e re koleksionuese e frymëzuar nga hiti i Krishtlindjeve

25/11/2026 19:26

Mariah Carey do të ketë një tjetër kukull Barbie të krijuar në nder të saj. Mattel ka prezantuar modelin e ri koleksionues, të frymëzuar nga albumi i saj i Krishtlindjeve i vitit 1994, “Merry Christmas”, dhe kënga ikonike “All I Want for Christmas Is You”.

Kukulla rikrijon pamjen e këngëtares në kopertinën e albumit, me një kostum festiv prej kadifeje të kuqe, të zbukuruar me detaje të bardha prej gëzofi. Veshja plotësohet nga një rrip i zi dhe çizme të zeza me taka të larta.

Edhe aksesorët janë përzgjedhur për të pasqyruar stilin karakteristik të artistes. Kukulla mban një varëse argjendi, unazën e famshme me flutur të Mariah Carey dhe një mikrofon argjendi. Ajo do të jetë e disponueshme në një paketim të veçantë për koleksionistët, me sfond dimëror me dëborë dhe inicialet e këngëtares.

“Krishtlindjet kanë qenë gjithmonë një periudhë kaq magjike për mua, ndaj fakti që Barbie feston sërish sezonin e festave së bashku me mua është diçka jashtëzakonisht e veçantë”, u shpreh Carey.

Ajo shtoi se ishte shumë argëtuese të shihte pamjen e saj festive të rikrijuar në formën e një kukulle Barbie, duke shpresuar që ajo të sjellë gëzim dhe atmosferë festive për fansat gjatë këtij viti.

Sipas revistës “Variety”, kjo është hera e dytë që kompania Mattel publikon një Barbie të frymëzuar nga këngëtarja. Modeli i parë u prezantua në nëntor të vitit 2023 dhe u shit brenda më pak se 24 orësh. Ai version ishte frymëzuar nga videoklipi i këngës “All I Want for Christmas Is You”, me një fustan të kuq të ndezur, me pala dhe një të çarë të theksuar.


Të dyja kukullat janë dizajnuar nga stilisti Angel Kent dhe bëjnë pjesë në linjën Black Label të Barbie, e cila u dedikohet modeleve koleksionuese.

Albumi “Merry Christmas”, i publikuar më shumë se tri dekada më parë, ndërthur këngë tradicionale të festave me krijime origjinale, duke nxjerrë në pah vokalin e fuqishëm të Carey dhe ndikimet e saj nga muzika gospel, soul dhe ajo klasike e Krishtlindjeve.

Ndërkohë, hiti “All I Want for Christmas Is You”, i shkruar nga Mariah Carey në bashkëpunim me Walter Afanasyev, vazhdon të jetë një nga këngët më të dashura të sezonit festiv dhe një simbol i kulturës pop. Suksesi i saj vijon edhe këtë vit, pasi kënga renditet në vendin e katërt në klasifikimin Billboard Hot 100, pas “Last Christmas” të grupit Wham!.

Top Channel