Ruajtja e gjuhës shqipe te fëmijët e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe përmirësimi i mësimdhënies së saj ishin në qendër të prezantimit të Qendrës së Botimeve për Diasporën në konferencën “Diaspora Flet 2026”, e zhvilluar në Hamburg të Gjermanisë.
Aktiviteti u mbajt më 21 nëntor, në kuadër të sesionit “Arsimi dhe transferimi i dijes”, ku u diskutuan nevojat për tekste shkollore, materiale dygjuhëshe, biblioteka me libra shqip dhe përgatitjen profesionale të mësuesve që japin mësim në gjuhën shqipe në diasporë.
Drejtoresha e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa, propozoi krijimin e një bashkëpunimi mes institucionit që drejton, mësuesve të gjuhës shqipe në Gjermani dhe pedagogëve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Nisma synon të përqendrohet në formimin profesional të mësuesve dhe pasurimin e materialeve didaktike për mësimin e shqipes si gjuhë e trashëgimisë.
Konferenca “Diaspora Flet 2026”, e organizuar me moton “Nga fjala te vepra”, u zhvillua nga 20 deri më 22 nëntor në Hamburg-Harburg dhe përfshiu pjesëmarrjen e 20 shoqatave e organizatave nga Gjermania, Shqipëria dhe Kosova.
Aktiviteti u organizua nga organizata e akademikëve gjermano-shqiptarë ODA Hamburg, në bashkëpunim me GERMIN, në kuadër të programit të GIZ-it për migrimin dhe zhvillimin.
Gjatë konferencës u diskutua edhe për zgjerimin e mësimit të gjuhëve të trashëgimisë në shkollat gjermane, forcimin e përgatitjes së mësuesve, zhvillimin e materialeve mësimore dhe bashkëpunimin mes shkollave, universiteteve dhe autoriteteve arsimore.
Propozimet u përfshinë në projektdeklaratën e Hamburgut, e cila ishte parashikuar të diskutohej në ditën përmbyllëse të konferencës.
Qendra e Botimeve për Diasporën ka bërë të ditur se do të vijojë angazhimin për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e rinj, duke synuar që fëmijët shqiptarë të kenë më shumë mundësi për ta mësuar dhe përdorur gjuhën e prindërve të tyre edhe larg vendlindjes.

