Ministria e Mjedisit ka hartuar një projektvendim të posaçëm që vendos rregulla të unifikuara për llogaritjen e objektivave të riciklimit, raportimin e të dhënave dhe zbatimin e hierarkisë së mbetjeve në vend. Ky akt nënligjor, i cili vjen në zbatim të ligjit nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivën 2008/98/KE të Bashkimit Evropian.
Sipas relacionit shoqërues të dokumentit, projekt-akti përcakton metodologjinë e llogaritjes dhe të verifikimit të objektivave kombëtarë për përgatitjen për ripërdorim, riciklim dhe rikuperime të tjera të mbetjeve bashkiake, mbetjeve nga ndërtimi dhe shembja, si dhe vajrave të përdorur. Përmes tij caktohet viti i fillimit të detyrimit, afatet e ndërmjetme dhe të dhënat minimale të nevojshme për matjen e rezultateve.
Një nga risitë kryesore lidhet me saktësinë e raportimit nga bashkitë, administruesit e zonave dhe operatorët, me synimin “që të dhënat e raportuara të jenë të krahasueshme, të gjurmueshme dhe të përdorshme për vlerësimin e përmbushjes së objektivave kombëtarë”, duke shmangur numërimin e dyfishtë. Dokumenti sqaron se me këto rregulla synohet “që përmbushja e objektivave të mbështetet në sasitë që plotësojnë kriteret metodologjike përkatëse dhe jo thjesht në sasitë e mbledhura, të transferuara ose të dërguara në impiante trajtimi”.
Projektvendimi kalon konceptin e hierarkisë së mbetjeve nga një parim i përgjithshëm ligjor në rregulla konkrete zbatimi.
“Hierarkia vendos parandalimin në krye, të ndjekur nga përgatitja për ripërdorim, riciklimi, rikuperimet e tjera dhe, si alternativë e fundit, asgjësimi”, thuhet në relacion, duke saktësuar se kalimi në një operacion më të ulët në hierarki lejohet vetëm sipas kushteve të parashikuara.
Po ashtu, parashikohen rregulla strikte për përjashtimet, të cilat lejohen vetëm për rryma të veçanta mbetjesh dhe “kur analiza e ciklit të jetës provon se alternativa e propozuar siguron rezultatin më të mirë të përgjithshëm për mjedisin”.
I organizuar në shtatë krerë dhe tetë shtojca teknike, akti mbulon edhe detaje specifike si pikat e llogaritjes së riciklimit, formulat për metalet e ndara pas incinerimit, mbetjet bio të ricikluara në burim dhe formularët standardë të kontrollit të cilësisë, “pa krijuar sisteme paralele raportimi apo detyrime të reja për subjektet”.
Për zbatimin e këtij vendimi, i cili nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM sh.a), bashkitë dhe strukturat inspektuese. Dokumenti është konsultuar me ekspertët e GIZ-it dhe do t’u përcillet për mendim ministrive të linjës, Inspektoratit të Përgjithshëm dhe Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me atë të Vetëqeverisjes Vendore.










