Video/ Momenti kur një skiator “ndiqet” nga një ortek gjigant në Kolorado

25/11/2026 19:39

Një skiator është filmuar teksa shkakton një ortek pranë Red Mountain Pass, në shtetin e Kolorados, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjarja vjen në një periudhë kur në zonën malore janë regjistruar disa ortekë të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, disa prej të cilëve konsiderohen ndër më të mëdhenjtë e këtij dimri deri më tani.

Sipas Qendrës së Informacionit për Ortekët në Kolorado, disa ortekë u regjistruan gjatë fundjavës, duke ngritur shqetësime për kushtet e paqëndrueshme të dëborës në rajon.

Autoritetet shpjegojnë se reshjet e fundit të dëborës, të shoqëruara me erëra të forta, kanë krijuar shtresa të trasha dhe më kompakte në sipërfaqe, të cilat qëndrojnë mbi një shtresë më të dobët dhe të paqëndrueshme.

Kjo strukturë e dëborës favorizon përhapjen e çarjeve në distanca të gjata. Si pasojë, shkëputja e një mase dëbore në një pikë të caktuar mund të shkaktojë ortekë që përhapen në sipërfaqe të gjera, duke përfshirë edhe shpatet përreth.

Ekspertët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria e shtresave të dëborës po shton rrezikun në zonat malore të Kolorados. Ata theksojnë se kushtet aktuale mund të favorizojnë ortekë të mëdhenj dhe veçanërisht shkatërrues, ndaj u bëjnë thirrje skiatorëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes të shtuar.

Top Channel