Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një sulm me dronë ndaj një baze të rëndësishme ajrore ushtarake ruse, duke dëmtuar pesë avionë luftarakë që përdoren nga Moska për sulmet me raketa dhe bomba kundër Ukrainës.
Lajmi është bërë i ditur nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, sipas të cilit objektivi ishte baza ajrore Savalyeka, në rajonin e Nizhny Novgorodit, në lindje të Moskës. Autoritetet ruse nuk kanë komentuar menjëherë pretendimet e Kievit.
Sipas ushtrisë ukrainase, nga sulmi janë dëmtuar tre avionë luftarakë MiG-31, të cilët përdoren për lëshimin e raketave hipersonike, si dhe dy avionë luftarakë-bombardues Su-34. Të pesë avionët janë nxjerrë jashtë shërbimit për një periudhë të caktuar.
Operacioni vjen pas një serie sulmesh të ndërmarra nga forcat ukrainase gjatë ditëve të fundit, të cilat kanë shënjestruar edhe anije ruse në ujërat pranë Libisë dhe në Gjirin e Finlandës.