Ish-bashkëshortja e Bledar Bakajt, Eljona Shpataraku, ka rrëfyer në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live” episodet e dhunës që thotë se ka përjetuar gjatë martesës.
39-vjeçarja ka treguar se abuzimi, sipas saj, ka nisur vetëm gjashtë muaj pas martesës, në një kohë kur ishte shtatzënë.
Në dëshminë e saj, Shpataraku përshkruan episode të përsëritura dhune fizike, kërcënime me vdekje dhe izolim në banesë. Ajo pretendon se ish-bashkëshorti e ka goditur me grushte, shqelma dhe sëpatë, duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit.
39-vjeçarja tregon se ka kërkuar ndihmën e policisë vetëm një herë. Sipas saj, pas denoncimit në komisariatin e Roskovecit, efektivët i kanë kërkuar ta falte bashkëshortin për hir të djalit të tyre.
Ajo pretendon gjithashtu se djali i tyre, atëherë 9 vjeç, ka qenë i pranishëm në disa prej episodeve të dhunës, përfshirë edhe ato që i përshkruan si abuzim seksual.
Në rrëfimin e saj, Shpataraku tregon edhe momentin kur vendosi të largohej përfundimisht nga banesa, duke marrë me vete të birin dhe duke iu drejtuar familjes së saj për ndihmë.
Kujtojmë se Bledar Bakaj, daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi, ndodhet në arrest me burg, pasi dyshohet se ka plagosur rëndë me dashje 67-vjeçarin Enver Grëmi, babain e ish-partneres së tij.
Përveç kësaj ngjarjeje, ndaj 52-vjeçarit janë ngritur edhe pretendime nga ish-partnerja për dhunë fizike dhe seksuale.












