Tirana do të mirëpresë më 27 nëntor 2026 Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, me temë ‘Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku’.
Aktiviteti do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku pritet të mblidhen liderët e vendeve të rajonit.
Në qendër të diskutimeve do të jenë përshpejtimi i reformave, zbatimi i Planit të Rritjes dhe prioritetet e reja strategjike.
Një tjetër çështje e rëndësishme do të jetë integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, Samiti do të nisë në orën 10:00 me mbërritjen e liderëve.
Aktiviteti do të përmbyllet në orën 12:30 me një konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres europiane Marta Kos.
Samiti pritet të shërbejë si një mundësi për diskutimin e hapave të mëtejshëm drejt reformave dhe afrimit të vendeve të rajonit me Bashkimin Europian.
Ndërkohë nesër, Komisionerja Kos, do të jetë në Shqipëri, ku do të zhvillojë një takim në Kuvendin e Shqipërisë, me deputetë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe anëtarë të komisioneve parlamentare, të cilët do të ndajnë këndvështrimin e tyre lidhur me sfidat e procesit të negociatave.












Komente
Komento