Shokohet ish-klubi i Ernest Muçit! Avioni i Besiktas goditet nga rrufeja, çfarë ndodhi më pas?

Momente paniku ka përjetuar delegacioni i Besiktas gjatë udhëtimit drejt Gjeorgjisë, ku skuadra turke do të përballet me Hapoel Beer Sheva në ndeshjen e javës së pestë të Fazës së Ligës së Evropës. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, avioni që transportonte ekipin është goditur nga rrufeja, duke detyruar ekuipazhin të kryejë një ulje emergjente.
Sipas informacioneve të bëra publike nga klubi turk, incidenti ndodhi gjatë fluturimit drejt Batumit, ku është zhvendosur ndeshja për arsye sigurie. Përpara uljes në aeroportin Rize-Artvin, avioni ka kryer disa manovra të vështira në ajër, duke shkaktuar shqetësim dhe tension te futbollistët dhe pjesëtarët e stafit që ndodheshin në bord.
Fatmirësisht, avioni arriti të ulej në mënyrë të sigurt, pa raportime për të lënduar. Pas incidentit, drejtuesit e Besiktas vendosën të mos vijonin më tej udhëtimin me avion, duke organizuar transportin e skuadrës me autobus drejt destinacionit përfundimtar.
Delegacioni turk e vazhdoi kështu rrugëtimin drejt Batumit nëpërmjet transportit tokësor, në një udhëtim që zgjati rreth dy orë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në mediat turke, ku janë ngritur pikëpyetje mbi vendimin e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjes në Gjeorgji, duke marrë parasysh vështirësitë dhe rreziqet që skuadra u përball gjatë udhëtimit.




