Bashkimi Evropian ka njoftuar zgjatjen me gjashtë muaj të subvencioneve të përkohshme që ndihmojnë kompanitë e bujqësisë dhe transportit, si dhe bizneset me konsum të lartë energjie, të goditura nga pasojat e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Kuadri i Përkohshëm i Ndihmës Shtetërore për Krizën në Lindjen e Mesme, të cilin Komisioni Evropian e miratoi në muajin prill, do t’u lejojë gjithashtu qeverive të vendeve anëtare të BE-së që të akordojnë grante deri në 50,000 euro për përfituesit gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, deri në qershorin e ardhshëm.
Aktualisht, qeveritë mund të kompensojnë kompanitë në sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe transportit tokësor deri në 70 për qind të kostove të tyre shtesë, të shkaktuara nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike si pasojë e luftës në Iran.
Ndërkohë, industritë me konsum të lartë energjie mund të përfitojnë subvencione deri në 70 për qind për shpenzimet e tyre shtesë të energjisë elektrike.
Komisioni Evropian, i cili është organi mbikëqyrës i konkurrencës në BE, deklaroi se kjo zgjatje u bë e domosdoshme për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme të çmimeve të karburanteve, plehrave kimike dhe energjisë elektrike me shumicë, të cilat po rëndojnë mbi kompanitë e këtyre sektorëve.










