Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka shprehur shqetësimin për zhvlerësimin e euros dhe dollarit në raport me lekun, duke deklaruar se kjo situatë po sjell pasoja të rënda për ekonominë shqiptare, bizneset eksportuese dhe punësimin. Gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, me temë “Narkoeuro: Pasojat për xhepat e shqiptarëve”, Berisha deklaroi se zhvlerësimi i monedhave të huaja ka goditur veçanërisht industrinë e tekstileve, të këpucëve dhe prodhimin bujqësor.
Sipas kreut të demokratëve, forcimi i lekut përballë euros dhe dollarit përbën një barrë të rëndë financiare për eksportuesit dhe investitorët e huaj. “Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, mbi investimet dhe eksportin. Çdo eksportues i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin”, u shpreh Berisha. Ai kritikoi gjithashtu Bankën e Shqipërisë, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj zhvillimeve në tregun valutor. Ai solli në vëmendje kursin e këmbimit ndër vite, duke vënë në pikëpyetje argumentin se forcimi i lekut lidhet me rritjen e numrit të turistëve.
Berisha u bëri thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Komisionin Europian, që të analizojnë situatën monetare në Shqipëri. Ai ngriti pretendime për ndikimin e parave me origjinë kriminale në ekonominë shqiptare, duke deklaruar se fenomeni përbën një rrezik jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Europian.
