Mbyllet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Von der Leyen: 338 mln euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe RMV
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në qendër të diskutimeve ishin perspektiva evropiane e rajonit, procesi i zgjerimit dhe avancimi i negociatave të anëtarësimit.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Europian synon të afrojë më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian, edhe përpara anëtarësimit të tyre zyrtar.
Gjatë fjalës së saj në Bruksel, ajo veçoi përfitimet konkrete të integrimit gradual, duke njoftuar se reformat e ndërmarra mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.
“Në të njëjtën kohë, po përgatisim edhe vetë Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, sepse zgjerimi duhet të jetë një sukses si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që do t’i bashkohen Bashkimit. Por mendoj gjithashtu se nuk duhet të presim anëtarësimin për t’i afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona”, tha ajo.
Von der Leyen theksoi gjithashtu përparimin në integrimin në sistemin europian të pagesave SEPA dhe negociatat për zgjerimin e nismës “Roaming si në shtëpi”, duke nënvizuar se qytetarët duhet të përfitojnë konkretisht nga procesi europian edhe përpara anëtarësimit.
“Për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi, ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Europian. Dhe tashmë po shohim rezultatet. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s. SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët. Po ashtu, po shënojmë përparim edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’.
Muajin e kaluar nisën negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit. Dhe ne dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin Dhe këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij dhe jam e bindur se së bashku mund ta kthejmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”, tha Von der Leyen.
Nga ana tjetër, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, rikonfirmoi angazhimin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje qeverive të rajonit të vijojnë reformat dhe të mos humbasin mundësinë për t’u bërë pjesë e unionit.
“Situata sfiduese gjeopolitike nënvizon nevojën për lidhje më të ngushta mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Rikonfirmuam perspektivën e anëtarësimit. Mesazhi im është: Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt BE-së. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.
Mes deklaratave, ka folur dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka kërkuar që Kosovës t’i jepet sa më parë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Jam shumë i lumtur që jam në Bruksel. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh për rrugën përpara. Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit. Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritës, sepse e meritojmë”, tha Kurti.
Gjithashtu, në një prononcimin për mediat kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë takim si një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për vendet kandidate, duke theksuar se ai krijon mundësinë për një diskutim të hapur mbi arritjet dhe sfidat e procesit të integrimit evropian.
“BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës. Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse, siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë një test për Shqipërinë, kryeministri vlerësoi se lufta kundër korrupsionit që po zhvillohet në vend është e paprecedentë në rajon.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe është arsyeja e saktë pse Shqipëria duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte gjithmonë vendi që trajtohej si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe ku korrupsioni ishte kthyer në sistem, sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin…Korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv”, tha Rama.
“Provat janë në serverat e SHBA-së”, gazetarja: Mesazhi i Wendt ishte për dosje konkrete të SPAK-ut
Von der Leyen vlerëson Shqipërinë për integrimin në BE: Po ecën me ritëm mbresëlënës drejt anëtarësimit
Berisha: Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme, eksportet kanë rënë me 28%
- 20:33 Ndalimi i kryeredaktorit të “Informer”, mbështetësit e SNS-së protestë para komisariatit në Beograd
- 20:25 Autoboti përmbyset dhe shpërthen në flakë në Egjipt, 30 të vdekur dhe 15 të plagosur
- 20:24 Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Costa: Zgjerimi është një mundësi reale, zbatoni reformat
- 20:21 “Provat janë në serverat e SHBA-së”, gazetarja: Mesazhi i Wendt ishte për dosje konkrete të SPAK-ut
- 20:16 Von der Leyen vlerëson Shqipërinë për integrimin në BE: Po ecën me ritëm mbresëlënës drejt anëtarësimit
- 20:10 Marta Kos, nesër në Tiranë, takime me Ramën dhe përfaqësues të institucioneve