Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar ritmin e vendit drejt anëtarësimit si mbresëlënës. Gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ajo njoftoi gjithashtu se 338 milionë euro të tjera do të çlirohen gjatë javëve në vijim për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të Planit të Rritjes.
Von der Leyen theksoi se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe se procesi ka marrë një shtysë të re. Sipas saj, Bashkimi Europian është në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj negociues gjatë këtij viti, duke e cilësuar këtë si përparim të jashtëzakonshëm.
Ajo veçoi ecurinë e Malit të Zi, që sipas saj po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa për Shqipërinë u shpreh se po ecën drejt këtij objektivi me ritëm mbresëlënës. Presidentja e Komisionit Europian nënvizoi se të dyja vendet kanë tashmë udhërrëfyes të qartë, me përparësi dhe etapa konkrete për hapat e ardhshëm.
Kreu i Komisionit Europian theksoi se integrimi nuk duhet të presë deri në anëtarësimin e plotë. Përmes Planit të Rritjes dhe integrimit gradual, BE synon t’u japë vendeve të Ballkanit Perëndimor më shumë mundësi për të përfituar nga tregu i përbashkët europian, ndërsa ato vijojnë reformat e nevojshme.
Një nga rezultatet konkrete të këtij procesi është përparimi në përmbushjen e reformave. Sipas të dhënave të paraqitura nga Von der Leyen, një vit më parë vendet partnere kishin përmbushur 38% të hapave të parashikuar, ndërsa aktualisht kjo shifër ka arritur në 63%. Ky progres, tha ajo, mundëson çlirimin e 338 milionë eurove shtesë për tre vendet gjatë javëve në vijim.
Von der Leyen përmendi gjithashtu përfshirjen e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, që mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Ajo bëri të ditur se kanë nisur edhe negociatat për nismën “Roam Like at Home” me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, me synimin për të ulur kostot e komunikimit telefonik mes vendeve dhe BE-së.
Sipas saj, në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin partner të Ballkanit Perëndimor, për të identifikuar mundësi të reja për përfshirjen e tyre në tregun e përbashkët.
Në përfundim, presidentja e Komisionit Europian vuri theksin edhe te bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, duke përmendur rritjen e tregtisë ndërrajonale, njohjen e kualifikimeve përtej kufijve dhe zhvillimin e korridoreve të gjelbra. Ajo theksoi se suksesi i zgjerimit duhet të matet me ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve, përmes më shumë mundësive për të rinjtë dhe bizneset, si dhe besimit më të madh te e ardhmja.

