Avokati i kryebashkiakut Erion Veliaj, Plarent Ndreca, pretendon se edhe këtë të mërkurë nuk është lejuar të hyjë në Burgun e Fierit, për t’u takuar me klientin e tij. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ndreca i ka bërë thirrje Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit që të ndërhyjnë për t’i dhënë fund kësaj situate, të cilën e konsideron si skandaloze.
Reagimi i plotë
Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.
Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.
Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.
Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.
I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë.
