Ka diçka alarmante, madje patologjike, në këtë spektakël 25 javësh e 5 ditësh që përpiqet të shitet si protestë politike në Tiranë. Si shtatzëni politike e zgjatur, me shumë kontraksione në shesh dhe asnjë shenjë lindjeje në institucion. Fëmijën e ardhëshëm e kanë quajtur "Përgjegjësia", por duket se nuk ka ndërmend të vijë në jetë. Mjekët e opozitës vazhdojnë serinë e konsultave, por "Përgjegjësia" vazhdon të jetë në pozicion podalik- anormal..

Përtej parullave politike, kauzave qytetare dhe skenografisë së revoltës, çfaqja publike duket se po mban në bark një shtatzëni politike të dyshimtë: riçfaqjen e fantazmës së vjetër të përçarjes krahinore. Një foshnjë historike që Shqipëria mendonte se e kishte lindur, rritur dhe, më në fund, përcjellë drejt harresës.

Kontraksionet retorike janë të shpeshta, diagnozat politike nuk mungojnë, këshillimet e komentuesve televiziv janë mbledhur, por “Përgjegjësia” ende nuk po duket në horizont. Dhe pyetja mbetet: kemi të bëjmë me një protestë kundër një qeverie, apo po asistojmë, në diçka të pritëshme të stilit berishist, në riçfaqjen e një përplasjeje të vjetër krahinore, ku Veriu vishet me petkun e opozitës dhe Jugu me atë të pushtetit?

Kur dialekti verior bëhet një nga gjuhët më të dëgjueshme të saj, kur simbolet e traditës veriore me skifterët e dialektit të tymit, zënë vend në skenografi, kur në rreshtat e parë shfaqet Sali Lushaj, një figurë që në kujtesën e opinionit publik lidhet me ngjarjet e dhunshme të viteve 1997–1998, dhe kur në të njëjtën skenë shfaqen edhe emra të lidhur me ish-strukturat e SHIK-ut të Gazidedes, sot të pranishëm në mjedise sindikale të universiteteve, krijohet një kompozim simbolik që meriton të lexohet përtej rastësive të dukshme.

Vitet 1997–1998 dëshmuan se kriza institucionale mund të jetë edhe një sipërmarrje gjeografike: kur institucionet nuk arrijnë të mbajnë shtetin në këmbë, politika fillon të lëvizë kufijtë emocionalë të qytetarëve. Shkumbini, pa e pyetur njeri, rrezikoi të emërohej në detyrën e re si ministër i Ndarjeve Kombëtare.

Për mentalitetin berishist, opozita nuk është thjesht opozitë; ajo është Veriu. Një mënyrë inovative për t'a personalizuar politikën dhe për t'a kolektivizuar fajin. Kur dështon lideri, nuk dështon ai, por krahina; kur sulmohet lideri, pretendohet se sulmohet krahina prej nga vjen. Veriu nuk është një zgjatim elektoral i tij, as një pavijon rehabilitimi ku mund të strehohet çdo dështak politik. Ai ka ekzistuar para Berishës dhe do të vazhdojë të ekzistojë shumë kohë pas tij.

Ata që bënë “Natën e xhamave të thyer” në Berlin nuk i fshehën fytyrat për të dëshmuar se kush ishin. Kush mund t'a mendonte se, një shekull më pas, historia do t'u rezervonte shqiptarve “Netët e kristalta” të Tiranës, përsëritjen e një tjetër ankth poshtërimi kolektiv nga vet shqiptarët, tashmë me fytyra të mbuluara dhe me mëndje të fshehur.

Xhami nuk thyhet vetëm nga forca e gurit. Në kuptimin moral, përpara se guri të fluturojë, duhet të jetë zhvlerësuar diçka: respekti për njeriun që ndodhet pas xhamit, për pronën që nuk është e jotja, për qytetin që nuk është skenë private e zemërimit tënd. Kur individi bindet se mllefi i tij është më i rëndësishëm se e drejta e tjetrit për të jetuar në qetësi, ai ka kaluar një kufi që nuk e përcakton më protesta, por degradimi i qytetarisë.

Në fund të çdo shfaqjeje, vjen deklarata se gjithçka u bë për demokracinë. Demokracia, kjo e gjora, është bërë si një çadër e madhe që mbulon çdo gjë: edhe protestën, edhe kërcënimin, edhe egërsinë, edhe shkatërrimin, edhe barbarinë, edhe mungesën e ideve. Mjafton t'a përmendësh dhe duket sikur të gjitha sjelljet marrin automatikisht një çertifikatë moraliteti. Sikur demokracia të ishte një lavatriçe politike, ku fut agresivitetin, urrejtjen dhe provincializmin, shtyp butonin “European Values” dhe pret që nga kazani të dalë qytetari i emancipuar shqiptar. Maskat, agresiviteti, shkatërrimi dhe përbuzja ndaj hapësirës së përbashkët i dhanë protestës pamjen e një gërmimi të papritur në shtresat më primitive të sjelljes njerëzore.

Në qëndër të Tiranës hapi një ekspeditë arkeologjike për të nxjerrë në dritë fosile të një qytetërimi të papërfunduar. Kur politika e mëson njeriun ta urrejë bashkëqytetarin më shumë sesa ta gjykojë liderin, ajo ka arritur një nga fitoret e saj më të errëta. Dhe në atë çast, lideri mund të vazhdojë të flasë për popullin, ndërsa populli, pa e kuptuar, fillon të luftojë me vetveten. Te Sali Berisha “Frika, pasiguria dhe kompleksi inferioritetit”, me sa duket, kanë gjetur habitatin e vet. Si ariu që, kur ndien rrezikun, futet në pyll dhe i beson dendësisë së pemëve më shumë sesa forcës së vet, edhe politikani që nuk e përballon dot dështimin individual kërkon strehim në pyllin e identitetit krahinor.

Këtu duket se kemi të bëjmë me një lloj sindrome të identifikimit të liderit me krahinën. Një truk i vjetër në historinë shqiptare. Truk i stilit Esat-Ahmet-Enver- Mehmet, etj, me efikasitet të admirueshëm në politikën provinciale. Paradoksi është se protesta duhet të jetë pikërisht hapësira ku njeriu shkëputet nga krahina, fisi, klani dhe trashëgimia e mllefeve.

Duhet të jetë vendi ku qytetari i Shkodrës, i Kukësit, i Fierit, i Gjirokastrës i Korçës apo i diasporës nuk pyetet nga vjen, por çfarë kërkon dhe çfarë Shqipërie dëshiron. Lidershipi opozitar i ngjan një klinikë politike që i ka kthyer dështimet në sëmundje kronike, ku pacienti, mjeku dhe diagnoza janë i njëjti person. kur politika e mëson njeriun ta urrejë bashkëqytetarin më shumë sesa ta gjykojë liderin, ajo ka arritur një nga fitoret e saj më të errëta.

Dhe në atë çast, lideri mund të vazhdojë të flasë për popullin, ndërsa populli, pa e kuptuar, fillon të luftojë me vetveten. Duket se në këtë lloj revolte, volumi i zhurmës është në përpjesëtim të drejtë me dëmin që i bëhet qytetit, por në përpjesëtim të zhdrejtë me përgjegjësinë që marrin autorët e saj. Ndoshta, përpara se të mobilizohen sërish kundër Tiranës, protestuesit dhe lideri i tyre do të duhej të provonin një recetë të vjetër popullore tiranase: kur ziejnë gjakrat, lëre shkumën të shpërthejë në gotën e birrës, jo në rrugë. Kur urrejtja ndaj tjetrit ushqehet, kur përbuzja normalizohet dhe kur shkatërrimi fillon të justifikohet në emër të një kauze, shoqëria duhet të alarmohet përpara se dhuna të bëhet normë./TemA