Dragan J. Vuçiçeviçi, kryeredaktorit të televizionit “Informer” në Serbi i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të nxitjes së panikut dhe trazirave në vazhdimësi.
Sipas N1, marrja e tij në pyetje është caktuar për të enjten, në orën 10:00, përpara prokurorit publik të Prokurorisë së Dytë Themelore në Beograd.
Akuzat e publikuara nga “Informer”
Gjatë pasdites, televizioni “Informer” publikoi vendimin për ndalimin e Vuçiçeviçit, ku renditeshin edhe veprimet për të cilat ai dyshohet.
Në dokument pretendohet se ai, në cilësinë e kryeredaktorit të televizionit, ka krijuar drejtpërdrejt në transmetim një klimë linçimi publik dhe ka etiketuar 97 persona si armiq të shtetit.
Sipas përmbajtjes së vendimit, Vuçiçeviç dyshohet gjithashtu se ka nxitur përplasje fizike ndaj këtyre personave, duke iu drejtuar policisë me thirrje si: “Polici, rrihini, thyeju brinjët”.
Në dokument thuhet gjithashtu se ai i ka cilësuar qytetarët që ushtronin të drejtën kushtetuese për tubim paqësor me termat “fundërrina”, “hiena” dhe “shkaba”.
Një tjetër pretendim i përfshirë në dokument lidhet me deklaratat e tij për tragjedinë e shembjes së tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, për të cilën, sipas autoriteteve, ai ka mohuar ngjarjen dhe ka cenuar dinjitetin e viktimave, duke prishur rendin dhe qetësinë publike