Kosova përfaqësohet për herë të parë në konkursin ndërkombëtar të bukurisë për meshkuj, Mister Universe, i cili zhvillohet nga 22 deri më 29 nëntor në Los Angeles, Kaliforni. Kreshnik Behrami, 31-vjeçari shqiptar që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rrëfyer në “Inspire Podcast” të Alketa Vejsiut emocionet e këtij përfaqësimi historik, sfidat e industrisë së bukurisë dhe paragjykimet me të cilat është përballur.
“Ne si shqiptarë kemi me të vërtetë shumë vlera. Një ndër vlerat tona është besnikëria. Mendoj që një burrë mund të jetë edhe i butë, por në të njëjtën kohë mund të jetë edhe i fortë. Shpresoj që përmes meje ta përcjell këtë si një vlerë shqiptare”, u shpreh ai.
Mister Kosova pranoi se fillimisht i druhej paragjykimeve për pjesëmarrjen në një konkurs bukurie për meshkuj, për shkak të mentalitetit tradicional shqiptar. Megjithatë, mbështetja që ka marrë nga publiku dhe mediat shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë e tij.
Gjatë intervistës, Behrami foli edhe për presionin e standardeve estetike ndaj meshkujve, duke theksuar se kujdesi për pamjen fizike nuk duhet të shndërrohet në obsesion. Sipas tij, bukuria mund të hapë shumë dyer, por personaliteti, inteligjenca dhe aftësia për të komunikuar janë ato që bëjnë diferencën.
Në momentin e realizimit të intervistës, Kosova renditej në vendin e gjashtë në sondazhin online të Mister Universe. Alketa Vejsiu u bëri thirrje shqiptarëve të mbështesin me vota përfaqësuesin e Kosovës, me synimin për ta ngjitur atë në krye të klasifikimit.
