Ukraina pret që Shtetet e Bashkuara të caktojnë datën e raundit të ardhshëm të negociatave për përfundimin e luftës me Rusinë. Presidenti Volodymyr Zelensky kërkon që bisedimet të zhvillohen në format katërpalësh, me pjesëmarrjen e Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Evropës.
Kërkesën e tij Zelensky e bëri publike përmes një postimi në Facebook, pas takimit në Kiev me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna. Sipas presidentit ukrainas, Kievi ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar përfshirjen e plotë të vendeve europiane në procesin e paqes, krahas Shteteve të Bashkuara.
“Ukraina ka bërë shumë për ta përfshirë plotësisht Evropën në procesin e paqes së bashku me Amerikën. Tani jemi në pritje që pala amerikane të caktojë datën për takimin e radhës, i cili duhet të jetë katërpalësh”, deklaroi Zelensky.
Gjatë takimit me diplomatin estonez, presidenti ukrainas foli edhe për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike, duke theksuar se ato po synojnë të godasin jetën e përditshme të qytetarëve.
“E informova atë lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Rusia po investon shumë në përpjekjet e saj për të shkatërruar normalitetin e jetës së përditshme. Kjo është arsyeja pse çdo gjë që forcon qëndrueshmërinë tonë është e rëndësishme”, u shpreh ai.
Në bisedimet me Tsahkna-n u diskutua edhe për ndihmën në sektorin energjetik, garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe përgatitjet për Konferencën për Rimëkëmbjen e Ukrainës, që do të organizohet në Estoni në fillim të vitit të ardhshëm.
Zelensky vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë, duke theksuar se ministri i Jashtëm estonez po vizitonte Kievin për herë të katërt vetëm gjatë këtij viti.
Raundi i fundit i negociatave trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së u zhvillua në Abu Dhabi, më 10 dhe 11 nëntor. Sipas raportimit, bisedimet u pasuan nga angazhimi për vijimin e negociatave, një marrëveshje për shkëmbimin më të madh të të burgosurve të realizuar ndonjëherë dhe diskutimet për përfshirjen e përfaqësuesve europianë në procesin e ardhshëm.

