Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, ka komentuar përplasjet mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se çdo zë ndryshe brenda mazhorancës është pozitiv, por se në situatën aktuale politike nuk mjaftojnë vetëm deklaratat.

E ftuar në “Prime News24” me Nisida Tufën, ajo u shpreh se zhvillimet politike dhe sociale në vend, protestat qytetare dhe aksionet e SPAK-ut kërkojnë qëndrime të qarta, të cilat duhet të përkthehen në votë dhe veprime konkrete politike.

“Koha dhe momenti ku po jetojmë, politik dhe social, polarizimi që po tregohet përmes protestës, aksioneve të SPAK-ut, kërkon qëndrime të prera që përkthehen në votë, në veprime politike. Çdo zë ndryshe, në opozitë me pushtetin dhe qeverisjen, është pozitiv dhe duhet të dëgjohet, por nuk mjafton vetëm deklarata. Koha do të tregojë se si do të përkthehet më vonë në veprime”, u shpreh Koçeku.

E pyetur për ngjashmëritë mes rrugëtimit të saj politik dhe përplasjes së Spiropalit me drejtimin e
Partisë Socialiste, Koçeku theksoi se bëhet fjalë për dy histori të ndryshme politike.

“Rrugëtimet tona janë të ndryshme. Si u bëmë pjesë e politikës, kohëzgjatja, si kemi lëvizur, kur unë jam larguar nga grupi i PS-së. Por, mes gjithë përplasjeve në PS, mendoj që ajo që do të ndodhë pas deklaratave vlen të analizohet më shumë se ajo që ka ndodhur deri më tani”, deklaroi ajo.
Koçeku është ndalur gjithashtu te postimi i saj në rrjetet sociale, ku kishte përdorur shprehjen “dhi mali”, duke shpjeguar se reagimi lidhej edhe me kërkesat e përsëritura që i ishin drejtuar nga grupi socialist pas largimit të saj.

Deputetja mbrojti pavarësinë e mandatit parlamentar, duke theksuar se ai nuk është pronë e partisë dhe as e drejtuesit të saj.

“Statusi im ka qenë shumë i pafajshëm në vetvete. ‘Dhi mali’ është një idiomë shumë e njohur. Statusi lidhet edhe me një thirrje të përsëritur që grupi ka pasur ndaj meje që kur u largova nga PS-ja. Mandati i përket qytetarit dhe personit që e mban, jo partisë dhe liderit”, tha Koçeku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb