Mijëra grekë dolën të mërkurën në rrugë, ndërsa punonjësit e sektorit publik dhe disa sindikata të sektorit privat zhvilluan një grevë mbarëkombëtare për të kërkuar paga më të larta dhe shërbime publike më cilësore, duke shkaktuar ndërprerje të transportit.
Linjat e trageteve drejt ishujve dhe shërbimet e metrosë në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje në kryeqytetin Athinë u pezulluan, ndërsa fluturimet në disa aeroporte rajonale u anuluan, pasi ekuipazhet e trageteve, punonjësit e transportit dhe të telekomunikacionit iu bashkuan grevës.
Aksioni, i thirrur nga konfederata më e madhe e sindikatave të sektorit publik në Greqi, ADEDY, synonte rikthimin e shpërblimeve vjetore, të hequra gjatë krizës së borxhit të Greqisë, si dhe rritjen e shpenzimeve për shëndetësinë dhe arsimin.
Rreth 15 mijë persona, nga mësues shkollash deri te mjekë spitalesh dhe studentë, protestuan paqësisht në Athinë, njoftoi policia greke. Ata mbanin pankarta me mbishkrimet: “Na ka ardhur në majë të hundës! Kërkojmë rritje pagash!”
Mijëra të tjerë protestuan në qytete të tjera të vendit.
Aksioni në Greqi, i treti gjatë javëve të fundit, i bën jehonë valës në rritje të protestave të udhëhequra nga të rinjtë në të gjithë Evropën, kundër kushteve të këqija në shkolla, rritjes së kostove të strehimit dhe rënies së standardit të jetesës.
Greqia, një nga vendet më të zhytura në borxhe të eurozonës, është rimëkëmbur fuqishëm nga kolapsi financiar i dekadës së fundit, e ndihmuar nga paketat e shpëtimit financiar me vlerë rreth 280 miliardë euro (306 miliardë dollarë).
Pagat janë rritur dhe taksat janë ulur gjatë viteve të fundit, por shumë familje kanë pasur vështirësi përballë rritjes së ndjeshme të qirave dhe kostove të jetesës, të përkeqësuara nga çmimet më të larta të ushqimeve dhe energjisë, si pasojë e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
“Sot, punonjësit e sektorit publik dhe atij privat janë në grevë, sepse nuk mund ta tolerojnë më këtë situatë: pagat e tyre janë të pamjaftueshme, punonjësit e administratës publike nuk kanë marrë shpërblimet e festave prej 16 vitesh dhe kostoja e jetesës është rritur jashtëzakonisht shumë”, tha Dimitris Aktipis, 50 vjeç, zyrtar i sindikatës së mësuesve të shkollave të mesme shtetërore në Greqi.
Qeveria e qendrës së djathtë e Kyriakos Mitsotakis, i cili u rizgjodh në vitin 2023 dhe përballet me zgjedhjet parlamentare në pranverën e vitit 2027, ka njoftuar lehtësira fiskale dhe subvencione me vlerë rreth 2.2 miliardë euro këtë vit, për të mbështetur personat me të ardhura të ulëta dhe pensionistët.
Ai ka premtuar një shpërblim prej 500 eurosh për Krishtlindje për rreth 700 mijë punonjës të administratës publike, duke filluar nga dhjetori i vitit 2027, si dhe një pagë mesatare mujore prej 1,800 eurosh në të gjithë sektorët në vitin 2030, nga rreth 1,400 euro që është aktualisht.
Në një mbledhje të zhvilluar të mërkurën, kabineti qeveritar diskutoi një plan fiskal për periudhën 2027-2030, i cili parashikon subvencione, rritje pagash, ulje taksash dhe masa të tjera me vlerë totale prej 11.45 miliardë eurosh. Raporti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto parashikohet të bjerë në 110% deri në vitin 2030, nga 145.9% që ishte vitin e kaluar, falë rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe suficiteve primare, shkruan Ekathimerini.
Partia në pushtet, Demokracia e Re, kryeson sondazhet e fundit me 30% të mbështetjes, gati dyfishin e partisë ELAS, e renditur në vendin e dytë. Kjo e fundit u themelua këtë vit nga ish-kryeministri Alexis Tsipras, politikani i majtë që drejtoi Greqinë në kulmin e krizës së borxhit në vitin 2015.