Gazetarja Klodiana Lala ka sfiduar ish-kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, që denoncimet e saj për korrupsionin dhe mënyrën e funksionimit të qeverisjes socialiste t’i çojë në dyert e SPAK-ut, duke u kthyer në një bashkëpunëtore të drejtësisë.
E ftuar në emisionin “Prime” në News24, me moderatoren Nisida Tufa, Lala deklaroi se Spiropali nuk mund të distancohet nga përgjegjësitë e saj për vitet kur ka qenë në majat e pushtetit.
Gazetarja u shpreh se do ta përshëndeste një akt të Spiropalit nëse kjo e fundit do të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme dhe do të rrëfente gjithçka që di për aferat e qeverisjes socialiste, duke marrë edhe përgjegjësitë e saj.
“E dimë shumë mirë, kam mbi 20 vite gazetare dhe e kam memorien e fortë se si u zvarrit në majat e pushtetit. Do ta duartrokisja nëse nesër shkon në dyert e SPAK-ut dhe thotë: Këto janë krimet që i kemi kryer bashkë, jam e penduara perfekte. Ramën do ta rrëzojë vetëm hakmarrja e një gruaje”, deklaroi Lala.
Gazetarja theksoi se denoncimet e Spiropalit nuk mund të trajtohen thjesht si një reflektim mbi gabimet e së kaluarës, pasi bëhet fjalë për çështje që, sipas saj, mbartin përgjegjësi institucionale dhe penale. Lala ngriti pikëpyetje edhe mbi rolin e Spiropalit gjatë kohës kur Belinda Balluku ushtronte pushtetin që sot ish-kryetarja e Kuvendit kritikon.
“Nuk ka gabime, ka faje dhe përgjegjësi penale dhe institucionale. Nëse flet për një sistem të kriminalizuar dhe korrupsion që, sipas saj, e ka drejtuar Balluku, ku ka qenë Spiropali?”, u shpreh gazetarja.
Lala komentoi gjithashtu qëndrimin e Spiropalit gjatë votimit për çështjen e Ballukut në Kuvend, duke argumentuar se abstenimi i saj nuk përbën një akt të mirëfilltë politik kundër mazhorancës.
“Për Ballukun nuk bëri akt politik, nuk votoi ndryshe nga socialistët. Nuk është akt politik abstenimi”, theksoi Lala.
