Policia e Korçës ka zbardhur plagosjen me thikë të 30-vjeçarit Anxhelo Brisku, ngjarje e ndodhur në fshatin Zvezdë të Maliqit.
Brisku ka hyrë në një lokal dhe është prezantuar si punonjës policie, ndërsa më pas ka goditur me sende të forta një 35-vjeçar, me inicialet I.M. Ky i fundit e ka goditur me mjet të mprehtë 30-vjeçarin.
Pas ngjarjes, 35-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.
Ndërkohë, Anxhelo Brisku është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë për rrethanat dhe vendin ku ka ndodhur ngjarja. Ai kishte pretenduar se ishte sulmuar nga disa persona teksa po ecte në rrugë në fshatin Neviçisht.
Në kërkim është shpallur edhe një 30-vjeçar tjetër, i cili dyshohet për moskallëzim krimi, pasi ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.














