Rama poston mesazhin e Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa: Ruani ritmin dhe zbatoni reformat
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripostuar në rrjetet e tij sociale mesazhin zyrtar të Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, të publikuar pas përfundimit të Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Bruksel.
Në deklaratën e tij të shoqëruar me foton familjare të liderëve pjesëmarrës, kreu i Këshillit Evropian vuri theksin te rëndësia strategjike e afrimit të rajonit me unionin në kushtet e sfidave aktuale ndërkombëtare, duke u bërë thirrje vendeve partnere të vijojnë punën me reformat.
“Konteksti sfidues gjeopolitik global vetëm sa e nënvizon nevojën për lidhje gjithnjë e më të ngushta midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Mesazhi im për të gjithë partnerët është i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë në Bashkimin Evropian” shkroi Costa në postimin e shpërndarë nga kryeministri Rama.

Ndërkaq, më herët, në një prononcim për mediat përpara nisjes së punimeve, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi këtë ngjarje të përvitshme si kulmin e vitit për të gjitha vendet kandidate dhe një moment të hapur e konstruktiv për të ballafaquar idetë mbi të ardhmen.
Sipas Ramës, Bashkimi Europian duhet të tregojë kurajë për të hedhur hapa të drejtë duke i ulur të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar sistemin e meritës për secilin vend, por duke dhënë një sinjal të fortë si për rajonin, ashtu edhe për botën.
I pyetur mbi propozimet për një kornizë më të gjerë integrimi dhe tregun e përbashkët europian, kryeministri theksoi se pikërisht kjo është ajo që ai mbështet dhe kërkon, në mënyrë që i gjithë Bashkimi Europian dhe vendet kandidate të jenë bashkë në tryezë.
“Kështu që për ne është absolutisht e rëndësishme që të jemi këtu në këtë ngjarje të përvitshme dhe në në këtë samit të këtij viti, besoj se ka një arsye shumë të mirë për të shtyrë përpara integrimin dhe mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë kurajë për të për të marrë hapa dhe për t’i sjellë të gjitha vendet kandidate përreth tryezës pa ndryshuar sistemin e meritës për çdo vend kandidat, por duke dhënë një sinjal shumë të fortë dhe nga njëra anë për vendet tona dhe për nga ana tjetër për botën. Kështu që kjo është kjo është njësia që kemi sot”, tha Rama.
Lidhur me ecurinë e procesit të negociatave dhe mbylljen e kapitujve, Rama u shpreh se Shqipëria po punon intensivisht çdo ditë me Komisionin Europian dhe se vendi ndodhet në rrugën e duhur sipas planifikimit.
Megjithatë, ai vuri në dukje se ky është një proces me dy drejtime dhe se për një pjesë të punës pritet ende drita jeshile nga Brukseli. “Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, deklaroi kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



