Një studente 18-vjeçare është gjetur e pajetë në apartamentin ku jetonte me një bashkëmoshatare në Bolonjë të Italisë. Elisa Turrini, nga Riva del Garda, dyshohet se ka ndërruar jetë gjatë gjumit, ndërsa shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar.
E reja ishte transferuar prej pak kohësh në Bolonjë për të studiuar në Fakultetin e Farmacisë në Universitetin Alma Mater Studiorum. Ajo do të festonte 19-vjetorin më 24 dhjetor.
Tragjedia u zbulua gjatë natës mes 23 dhe 24 nëntorit, kur shoqja me të cilën ndante apartamentin e gjeti pa shenja jete. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk mundën ta shpëtonin.
Sipas informacioneve paraprake, mbrëmjen para se të ndërronte jetë, Elisa u kishte treguar disa shoqeve se kishte ndier dhimbje të forta në bark. Për këtë arsye, kishte vendosur të shkonte të flinte më herët.
Dyshimet fillestare janë se 18-vjeçarja mund të ketë pësuar një problem të papritur shëndetësor gjatë gjumit. Megjithatë, autoritetet presin rezultatet e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, e cila pritet të zhvillohet deri të enjten, më 26 nëntor.
Nga të dhënat paraprake nuk rezulton që studentja t’u ishte drejtuar më parë strukturave shëndetësore për shqetësimet që kishte përjetuar.
Lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar trishtim edhe në vendlindjen e Elisës. Ajo kishte përfunduar vetëm pak muaj më parë gjimnazin Maffei, në Riva del Garda. Në nderim të kujtimit të saj, shkolla zhvilloi një minutë heshtje përpara nisjes së mësimit.

