Rrjeti i Zbatimit të Ligjit për Krimet Financiare (FinCEN) i Departamentit amerikan të Thesarit po heton një sulm të mundshëm kibernetik, i cili rezultoi në “akses të paautorizuar” në disa prej sistemeve të tij.
FinCEN, i cili mbledh dhe analizon raportet e bankave për aktivitetet e dyshimta dhe informacione të tjera financiare, tha se kishte nxjerrë jashtë funksionit disa sisteme “si masë parandaluese”. Ky organ ligjzbatues bashkëpunon ngushtë me rregullatorët dhe autoritetet e zbatimit të ligjit për të analizuar modelet e krimit financiar në mbarë botën, me synimin për të parandaluar dhe ndëshkuar pastrimin e parave.
“FinCEN po heton një incident të sigurisë kibernetike që rezultoi në akses të paautorizuar në një pjesë të kufizuar të sistemeve të tij”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të institucionit, shkruan FT.
Incidenti është i fundit në një seri sulmesh dhe incidentesh të profilit të lartë kibernetik që kanë prekur korporata dhe agjenci qeveritare amerikane, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të funksionimit dhe duke tronditur besimin e publikut te infrastruktura dixhitale e vendit.
Gjatë dy javëve të fundit, sistemet kompjuterike dhe mjetet online të organizatave, përfshirë Microsoft, JPMorgan, Administratën Federale të Aviacionit dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, kanë pësuar ndërprerje të funksionimit për shkak të problemeve kibernetike. Mes spekulimeve për terrorizëm kibernetik, zyrtarët amerikanë thanë se këto incidente u shkaktuan nga përpjekjet e organizatave për të korrigjuar me shpejtësi defektet në softuer, dhe jo nga sulme kibernetike.
Megjithatë, ngjarjet kanë shtuar shqetësimet mes drejtuesve të kompanive dhe publikut për cenueshmërinë e sistemeve kompjuterike amerikane ndaj përparimeve në teknologjinë e inteligjencës artificiale, të cilat kanë zgjeruar ndjeshëm aksesin në mjete të sofistikuara hakerimi.
Drejtuesit ekzekutivë të disa prej bankave më të mëdha amerikane, përfshirë Citigroup, Bank of America, Wells Fargo, JPMorgan dhe Goldman Sachs, morën pjesë të hënën në një takim me sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, sipas personave të njohur me çështjen. Bessent kishte mbledhur më parë drejtuesit e bankave për të diskutuar rreziqet kibernetike, pas publikimit nga Anthropic të modelit të saj Mythos.
FinCEN i ka këshilluar institucionet financiare që kanë nevojë urgjente të raportojnë aktivitete të dyshimta të përdorin linjën e tij telefonike, e cila nuk është prekur nga incidenti.
Sistemi elektronik i raportimit në kuadër të Aktit për Sekretin Bankar, që përdoret zakonisht nga bankat për të paraqitur raporte mbi aktivitetet e mundshme të dyshimta financiare, vijonte të funksiononte, por “disa shërbime mund të jenë përkohësisht të padisponueshme”, njoftoi institucioni. Bankat kanë detyrim ligjor të monitorojnë dhe të raportojnë aktivitetet e dyshimta financiare pranë FinCEN.
Sipas agjencisë, institucionet financiare paraqitën 4.8 milionë raporte për aktivitete të dyshimta gjatë vitit 2025.