Tragjedi në Bolonja, vdes në gjumë studentja 18-vjeçare, gjendet e pajetë në banesën ku jetonte me shoqen Një tjetër anije mallrash me flamur iranian është goditur nga dronë detarë ukrainas pranë brigjeve të Bengazit në Libi.
Sipas një raportimi të gazetës italiane “Corriere della Sera”, sulmi ka ndodhur të dielën dhe dyshohet se është pjesë e një operacioni më të gjerë kundër rrjeteve iraniane të kontrabandës së pajisjeve ushtarake.
Anija, e identifikuar si “Alvan”, besohet se përdorej për transportimin e pajisjeve të avancuara elektronike për prodhimin e dronëve, të cilat siguroheshin nga Kina dhe India. Sipas raportimit, ngarkesa dërgohej fillimisht në Libi, ku ripaketohej përpara se të transportohej drejt Iranit.
“Alvan” ishte regjistruar në brigjet e Bengazit të dielën, kur u godit nga dronët ukrainas. Gazeta italiane pretendon se operacioni është kryer nga Ukraina në emër të Shteteve të Bashkuara, megjithëse Kievi nuk ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.
Anija rezulton të jetë nën sanksionet amerikane të paktën që prej vitit 2020. Ajo dyshohet se ka përdorur emra të ndryshëm dhe ka ndryshuar vazhdimisht identitetin për t’iu shmangur kufizimeve ndërkombëtare dhe bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas të njëjtit raportim, administrata e presidentit Donald Trump i ka kërkuar komandantit libian Khalifa Haftar të ndërpresë furnizimet me pajisje ushtarake nga Irani, por këto përpjekje nuk kanë dhënë rezultat.
Besohet se furnizimet iraniane janë pjesë e përpjekjeve të Haftarit për të forcuar kapacitetet e tij ushtarake, në kuadër të planeve për të marrë kontrollin e Libisë perëndimore. Gjashtë vite më parë, një përpjekje e ngjashme dështoi pas ndërhyrjes së Turqisë.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një ndryshim në marrëdhëniet mes Haftarit dhe Ankarasë. Sipas raportimeve, ai ndodhej të mërkurën në Ankara, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë turq të sigurisë. Afrimi i tij me Turqinë vjen në një moment kur situata politike dhe ushtarake në Libi mbetet e ndërlikuar.
Sulmi ndaj anijes “Alvan” vjen pas raportimeve për goditjen e dy mjeteve të tjera ruse dhe një helikopteri në të njëjtën zonë, në kuadër të operacioneve ukrainase pranë brigjeve libiane.
Top Channel