Gazetarja Klodiana Lala i ka bërë thirrje ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, që deklaratat e saj për korrupsionin dhe mënyrën e funksionimit të qeverisjes socialiste t’i çojë përtej reagimeve publike, duke u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme dhe duke bashkëpunuar me drejtësinë.
E ftuar në emisionin “Prime”, Lala u shpreh se Spiropali nuk mund të distancohet nga përgjegjësitë e saj politike dhe institucionale, pasi për vite me radhë ka qenë pjesë e niveleve më të larta të pushtetit.
Gazetarja deklaroi se do ta përshëndeste një vendim të Spiropalit për të shkuar në SPAK dhe për të treguar gjithçka që di mbi mënyrën se si është qeverisur vendi, duke pranuar edhe përgjegjësinë e saj për veprimet e kryera gjatë kësaj periudhe.
“E dimë shumë mirë, kam mbi 20 vite gazetare dhe e kam memorien e fortë se si u zvarrit në majat e pushtetit. Do ta duartrokisja nëse nesër shkon në dyert e SPAK-ut dhe thotë: Këto janë krimet që i kemi kryer bashkë, jam e penduara perfekte. Ramën do ta rrëzojë vetëm hakmarrja e një gruaje”, deklaroi Lala.
Ajo kundërshtoi qëndrimin e Spiropalit për t’i paraqitur zhvillimet e fundit si një reflektim mbi gabimet e së kaluarës, duke theksuar se, sipas saj, bëhet fjalë për përgjegjësi që shkojnë përtej politikës dhe mund të kenë edhe natyrë penale.
Në këtë kontekst, Lala ngriti pikëpyetje mbi rolin e Spiropalit gjatë kohës kur Belinda Balluku ushtronte funksionet e saj në qeveri, ndërsa sot ish-kryetarja e Kuvendit shfaq rezerva ndaj mënyrës së funksionimit të mazhorancës.
“Nuk ka gabime, ka faje dhe përgjegjësi penale dhe institucionale. Nëse flet për një sistem të kriminalizuar dhe korrupsion që, sipas saj, e ka drejtuar Balluku, ku ka qenë Spiropali?”, u shpreh gazetarja.
Lala u ndal edhe te qëndrimi i Spiropalit gjatë votimit në Kuvend për çështjen e Belinda Ballukut, duke vënë në diskutim peshën politike të abstenimit të saj. Sipas gazetares, një qëndrim i tillë nuk përbën shkëputje nga linja e shumicës socialiste.
“Për Ballukun nuk bëri akt politik, nuk votoi ndryshe nga socialistët. Nuk është akt politik abstenimi”, theksoi Klodiana Lala.














