Rreth 800 fëmijë dhe të rinj janë abuzuar seksualisht nga priftërinj dhe klerikë të tjerë në Dioqezën Katolike të Trierit në Gjermani, gjatë periudhës 1946–2021, zbulon një studim i ri i publikuar të mërkurën.
Studiuesit e Universitetit të Trierit kanë identifikuar më shumë se 250 autorë dhe persona të dyshuar për përfshirje në këto abuzime, bëjnë të ditur ekspertët. Shifra përfshin vetëm rastet e njohura; numri i viktimave të paraportuara, të cilat kanë heshtur nga frika ose turpi, mbetet i panjohur, sipas studimit.
Shumica e rasteve kanë ndodhur në rezidencat e priftërinjve, në kisha, në sakristi, në konvikte të drejtuara nga Kisha dhe në shkolla me konvikt. Disa prej autorëve kanë shfrytëzuar sakramentin e rrëfimit për t’iu afruar fëmijëve. Në 20 raste, abuzimi ka ndodhur në banesat familjare të viktimave.
Studimi zbuloi se besimi i madh që komunitetet katolike kishin te priftërinjtë, si dhe lidhjet e ngushta familjare, ua vështirësonin fëmijëve të flisnin për abuzimet. Shumë viktima janë vënë gjithashtu nën presion nga vetë familjet e tyre për të heshtur, duke bërë që abuzimet të mbeteshin të fshehura për vite me radhë.
Hulumtimi tregoi se disa drejtues të Kishës ua kaluan përgjegjësinë të tjerëve dhe mbrojtën autorët e abuzimeve.
Nisma e viktimave MissBit deklaroi se raporti përfundimtar nxjerr në pah rolin e zyrtarëve të Kishës në mbulimin e rasteve dhe në keqpërdorimin e pozitave të tyre. Grupi theksoi se abuzimet kanë vazhduar edhe pas vitit 2021 dhe se do të vijojë të kërkojë përfshirjen e plotë të të mbijetuarve, si dhe marrjen e përgjegjësisë reale nga personat përgjegjës.
