Ushtria zvicerane planifikon të dërgojë satelitin e saj të parë në orbitën e Tokës në vitin 2028, në kuadër të një strategjie hapësinore për të cilën janë parashikuar 850 milionë franga zvicerane gjatë 12 vjetëve.

Hapësira po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në aspektin ushtarak dhe të sigurisë, ndërsa Zvicra ka krijuar këtë vit një qendër të specializuar për zhvillimin e kapaciteteve hapësinore.


“Ne duam të arrijmë shumë dhe shpejt”, ka deklaruar Peter Bruns, gjeneral brigade përgjegjës për prokurimin dhe zhvillimin e kapaciteteve hapësinore të ushtrisë zvicerane, raporton Watson.

Sipas tij, ndërprerja e shërbimeve satelitore mund të kishte pasoja katastrofike, jo vetëm për sigurinë kombëtare, por edhe për jetën e përditshme të qytetarëve, transmeton Telegrafi.

Sektorë të rëndësishëm, si navigimi, shërbimet financiare, komunikimi dhe rrjeti elektrik, varen nga teknologjia satelitore.

Sateliti i parë i ushtrisë zvicerane fillimisht do të përdoret për vëzhgim vizual, ndërsa në fazat e mëvonshme parashikohet zhvillimi i sistemeve të radarëve, komunikimit, navigimit dhe vetëmbrojtjes në hapësirë.

Si një vend i vogël, Zvicra synon t'i zhvillojë këto kapacitete përmes bashkëpunimit me shtetet e tjera dhe sektorin civil, duke mundësuar arritjen e rezultateve të larta me kosto relativisht të ulëta./Telegrafi/