Champions League ka dhuruar emocione, gola dhe surpriza në ndeshjet e mbrëmjes. Interi dhe Liverpooli kanë marrë fitore të rëndësishme, ndërsa surpriza më e madhe erdhi nga Franca, ku Lille mposhti me përmbysje Bayern Munich.
Në “San Siro”, Interi regjistroi fitoren e tretë radhazi në kompeticionin europian, duke mposhtur 2-0 Stuttgartin. Pas një pjese të parë pa gola, zikaltrit zhbllokuan rezultatin në minutën e 57-të, kur Petar Sucic u tregua i saktë nga pika e bardhë. Tri pikët u siguruan nga Lautaro Martinez, i cili në minutën e 74-t shfrytëzoi asistin e Federico Dimarcos.
Surpriza e mbrëmjes erdhi në Francë. Lille përmbysi Bayern Munichun, duke fituar 2-1. Bavarezët kaluan të parët në avantazh me Upamecanon, por vendasit reaguan në pjesën e dytë, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës dhe duke siguruar një triumf të rëndësishëm.
Fitore mori edhe Liverpooli, që nuk pati vështirësi ndaj Club Brugge, duke triumfuar 0-3. Alexander Isak realizoi dy gola, ndërsa Florian Wirtz vulosi suksesin e anglezëve.
Në Madrid, Atletico bëri detyrën përballë Viking, duke fituar 2-0 me golat e Alexander Sorloth dhe Julian Alvarez. Ndërkohë, Fenerbahce siguroi një fitore minimale 0-1 ndaj Shakhtar Donetsk, falë golit të Vedat Muriqit.
Spektakël pati në Paris, ku PSG dhe Roma u ndanë në barazim 2-2. Të njëjtin rezultat regjistruan edhe Sporting Lisbona dhe Manchester United, në një përballje dramatike me përmbysje, dy penallti të realizuara nga Bruno Fernandes dhe një gol të vonë të Luis Suarez.
