Një operacion i forcave speciale në Kolumbi i ka dhënë fund një pengmarrjeje që zgjati rreth 17 orë në një supermarket në qytetin turistik të Kartagjenës. Të gjithë personat e marrë peng janë liruar, ndërsa një prej personave të dyshuar si autor i ngjarjes është vrarë dhe katër të tjerë janë arrestuar.
Ngjarja nisi rreth orës 08:00 të së martës, kur persona të armatosur dhe të maskuar hynë me forcë në supermarket, duke marrë peng klientët dhe punonjësit që ndodheshin brenda.
Fillimisht, presidenti i vendit, Abelardo de la Espriella, deklaroi se bëhej fjalë për 30 pengje, por pas përfundimit të operacionit policia e çoi numrin në rreth 70 persona. Gjatë ditës, dhjetë prej tyre ishin liruar, ndërsa pjesa tjetër u mbajt në ambientet e supermarketit deri në orët e para të së mërkurës.
Rreth orës 01:30, pas 17 orësh negociatash dhe përpjekjesh për zgjidhjen e situatës, forcat speciale ndërhynë duke çarë hyrjet e bllokuara dhe duke përdorur granata trullosëse.
Gjatë operacionit, një prej personave të dyshuar si pengmarrës u vra, ndërsa katër të tjerë u arrestuan.
Presidenti De la Espriella, i cili kishte udhëtuar drejt Kartagjenës për të ndjekur nga afër negociatat dhe ndërhyrjen policore, deklaroi se personave të armatosur u ishte dhënë mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet.
“Një nga kriminelët u vra. Atyre iu dha mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet; ata e refuzuan këtë mundësi dhe ne vepruam me forcë”, deklaroi presidenti në një video të publikuar jashtë supermarketit.
Sipas kryebashkiakut të Kartagjenës, Dumek Turbay, personi i vrarë dyshohet se kishte rezistuar gjatë ndërhyrjes dhe kishte sulmuar një prej efektivëve të forcave speciale, çka kishte bërë që policia të qëllonte ndaj tij.
Mediat lokale e identifikuan viktimën si Haider Muneton Zapata, 51 vjeç. Sipas raportimeve, ai nuk kishte precedentë penalë. Bashkëshortja e tij kishte kaluar gjithë ditën duke kërkuar informacion për të, pasi edhe ai ishte mes personave të marrë peng.
Në një intervistë për radion Blu Radio, ajo tregoi se i shoqi kishte dalë për të blerë bunuelos, një ushqim tradicional kolumbian, përpara se të shkonte ta merrte atë në punë. Gruaja kishte humbur kontaktet me të që prej orës 08:12, kur ai nuk iu përgjigj më mesazheve në WhatsApp.
Sipas autoriteteve, personat e armatosur kishin tentuar fillimisht të grabisnin një automjet të blinduar që transportonte para. Pasi u zbuluan nga sigurimi privat, i cili njoftoi policinë, ata u strehuan brenda supermarketit dhe morën peng personat që ndodheshin aty.
Kryebashkiaku Turbay bëri të ditur se gjatë ndërhyrjes disa prej të dyshuarve tentuan të fshihnin identitetin, duke hequr maskat dhe duke ndërruar rrobat e zeza me veshje civile, në përpjekje për t’u përzier me pengjet.
Për këtë arsye, policia iu nënshtruan kontrolleve të gjithë personat e liruar, përpara se të identifikonte katër të dyshuarit që u arrestuan. Ndërkohë, gjatë negociatave, dhjetëra persona ishin mbledhur jashtë supermarketit për të ndjekur situatën. Policia përdori topa uji për të shpërndarë turmën.
Disa prej punonjësve të supermarketit kanë rrëfyer momentet e frikës gjatë pengmarrjes.
Hector Puello, një prej punonjësve të marrë peng, i tha radios Caracol se kishte nisur turnin në furrën e bukës së supermarketit rreth dy orë e gjysmë përpara mbërritjes së personave të armatosur.
“Para së gjithash, u ndjeva sikur kisha ardhur përsëri në jetë, sepse ata burra të armatosur po na keqtrajtonin”, rrëfeu ai.
Një tjetër punonjës, Dayro Rafael Velazquez Castrillo, tregoi se ishte fshehur në një dhomë frigoriferike së bashku me katër kolegë të tjerë.
“Pas katër orësh, nuk mund ta duronim më të ftohtin dhe dolëm jashtë”, tha ai, duke shtuar se në atë moment u kapën dhe u morën peng.
Pengmarrja në Kartagjenë ndodhi në një moment të tensionuar për sigurinë në Kolumbi, pikërisht në 10-vjetorin e marrëveshjes historike të paqes me guerrilasit e FARC-ut.
Presidenti De la Espriella, i cili ka pak më shumë se tre muaj në detyrë, ka kritikuar vazhdimisht marrëveshjen e paqes dhe ka orientuar politikën e tij drejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me grupet kriminale.
Ngjarja në supermarket erdhi vetëm një ditë pas një tjetër sulmi të rëndë, kur një automjet bombë shpërtheu jashtë selisë së qeverisë rajonale në Meta. Mbi 20 persona mbetën të plagosur. Presidenti ia atribuoi sulmin një fraksioni disident të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).
Megjithatë, ai përjashtoi mundësinë që pengmarrja në supermarket të ishte organizuar nga një grup terrorist, duke këmbëngulur se bëhej fjalë për persona të përfshirë në krimin e zakonshëm.
Në një tjetër zhvillim, pesë rajone të vendit mbetën pa energji elektrike të martën në mbrëmje. Sipas presidentit, autorët kishin përdorur eksplozivë për të rrëzuar shtylla të transmetimit të energjisë.
De la Espriella deklaroi se qeveria do të vazhdojë operacionet kundër grupeve kriminale, duke theksuar:
“Ne po veprojmë nga nevoja për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për të ndjekur të gjithë kriminelët me dorë të hekurt”.
Ngjarjet e fundit kanë shtuar shqetësimet për përshkallëzimin e dhunës në vend, pavarësisht disa përmirësimeve të raportuara në tregues si vrasjet dhe rrëmbimet.
