Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për të shënuar përparim konkret në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se mungesa e normalizimit vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian.

Kjo është theksuar në deklaratën prej 20 pikash, të publikuar të mërkurën në mbrëmje, pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian me ata të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bruksel.


Në pikën e gjashtë të deklaratës, liderët evropianë kanë riafirmuar mbështetjen e plotë për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke u bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të avancojnë drejt zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Sipas deklaratës, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve vazhdon të jetë pengesë në perspektivën e tyre evropiane.

“Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura”, thuhet në deklaratë.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i BE-së lidhet me kushtëzimin e mbështetjes financiare përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor. Sipas liderëve evropianë, kjo mbështetje do të varet nga angazhimi konstruktiv i vendeve partnere dhe nga përparimi i matshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Në deklaratë, liderët e BE-së kanë ritheksuar gjithashtu angazhimin e tyre ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar zgjerimin si investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.

Ata kanë mirëpritur dinamikën dhe përparimin e arritur nga partnerët e rajonit që nga samiti i fundit, por kanë kërkuar që reformat të përshpejtohen, veçanërisht në fushat themelore që lidhen me procesin e anëtarësimit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e themeloreve, si dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në dokument.

BE-ja ka theksuar se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit duhet të bazohet në reformat e besueshme, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz, si dhe në parimin e meritave individuale të secilit vend.

Në të njëjtën kohë, është nënvizuar se edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë përgatitjet dhe reformat e brendshme për t'u përshtatur me një Union më të zgjeruar.

Një pjesë tjetër e deklaratës i kushtohet vlerave demokratike dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Liderët evropianë kanë kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor që të mbështesin parimet dhe vlerat evropiane, duke veçuar rëndësinë e lirisë së shprehjes, mediave të pavarura dhe pluraliste, barazisë gjinore dhe rolit të shoqërisë civile.

Në këtë kontekst, në deklaratë është bërë një thirrje e qartë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit historik, të cilat janë cilësuar si veprime në kundërshtim me vlerat themelore evropiane.

“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të nxisin një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me krimet e luftës”, thuhet në deklaratë.

Liderët e BE-së kanë ritheksuar gjithashtu nevojën për garantimin e të drejtave dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave, duke vlerësuar se liria e medias dhe fuqizimi i shoqërisë civile janë elemente të domosdoshme për funksionimin e demokracisë.

Në fund, deklarata i kushton rëndësi edhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si elemente të rëndësishme për stabilitetin dhe avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.

Takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel është mbajtur në një kohë kur zgjerimi i Unionit dhe reformat në vendet e rajonit mbeten ndër çështjet kryesore të agjendës evropiane./Telegrafi.