“Nuk kërkoj mëshirë nga askush, kërkoj vetëm drejtësi!”/ Erjon Vishkulli reagon pas dëshmisë në Prokurorinë e Tiranës

25/11/2026 23:12

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që mbeti i plagosur në sy gjatë protestës në kryeqytet, ka reaguar në rrjetet sociale pasi dha dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës.

Pak ditë pas kthimit nga Italia, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, Vishkulli është paraqitur sot përpara grupit hetimor, ku ka rrëfyer rrethanat e plagosjes dhe ka dorëzuar dokumentacionin mjekësor të lëshuar nga mjekët italianë.

“Sot dola nga Prokuroria e Hetimit me kokën lart dhe me dinjitet. Nuk kërkoj mëshirë nga askush, kërkoj vetëm DREJTËSI! Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar”, shkruan Vishkulli në Facebook, duke e shoqëruar postimin edhe me një fotografi.

Gjatë dëshmisë së tij, 28-vjeçari ka treguar se ku ndodhej në momentin e incidentit dhe ka përshkruar rrezikun që i është kanosur pas goditjes.

“Më gjuajtën në kokë dhe dëmtimi ishte serioz kundër jetës”, ka deklaruar ai përpara hetuesve.

Prokuroria ka administruar kartelën mjekësore të Vishkullit, por ende nuk ka përcaktuar nëse dëmtimi është shkaktuar nga një plumb gome.

Organi i akuzës është në pritje të përgjigjes së letërporosisë drejtuar autoriteteve italiane, për të marrë informacion edhe mbi materialin e nxjerrë nga syri i Vishkullit gjatë ndërhyrjes kirurgjikale.

Dëshmia e 28-vjeçarit konsiderohet e rëndësishme për hetimet mbi veprimet e policisë gjatë protestës, ndërsa disa oficerë po hetohen për veprime arbitrare.

Postimi i plotë i Erjon Vishkullit:

Sot dola nga Prokuroria e Hetimit me kokën lart dhe me dinjitet. Nuk kërkoj mëshirë nga askush, kërkoj vetëm DREJTËSI!

Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar 🇦🇱

Top Channel