Moti në vendin tonë pritet të jetë i paqëndrueshëm gjatë ditës së sotme, për shkak të masave ajrore që do të sjellin reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në disa zona parashikohen edhe shtrëngata dhe stuhi të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit, fillimisht me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Situata paraqitet më problematike në zonën veriperëndimore, ku reshjet pritet të kenë intensitet mesatar deri të lartë, në formën e shtrëngatave dhe stuhive me shkarkesa elektrike. Këto kushte parashikohet të zgjasin nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes.
Gjatë ditës, reshjet me intensitet të ulët deri mesatar do të vijojnë në pjesën më të madhe të territorit. Ndërkohë, në zonat perëndimore dhe jugperëndimore, gjatë pasdites dhe kryesisht në mbrëmje, priten reshje me intensitet mesatar deri të lartë, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata, shkarkesa elektrike dhe rrebeshe afatshkurtra.
Në zonat malore të veriut dhe verilindjes, në lartësitë mbi 1200 metra mbi nivelin e detit, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi deri në 8 metra në sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare mund të arrijë deri në 20 metra në sekondë.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 3-5 ballë.












