Dyshohet se furnizonte trafikantët e emigrantëve në Kanalin e La Manshit, kërkohet ekstradimi i tregtarit të varkave

Dyshohet se furnizonte trafikantët e emigrantëve në Kanalin e La Manshit, kërkohet ekstradimi i tregtarit të varkave

08:20, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tregtar gjerman varkash dyshohet nga autoritetet evropiane se ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të rrjeteve të trafikimit të emigrantëve që organizojnë kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manshit. Lajmi është bërë i ditur nga një investigim i BBC-së, në bashkëpunim me disa media gjermane dhe franceze.

Sipas dokumenteve policore dhe gjyqësore të siguruara nga gazetarët, gati një e treta e kalimeve me gomone gjatë katër muajve të parë të këtij viti dyshohet se janë kryer me varka ose motorë të lidhur me kompaninë MaReBoote, një biznes i vogël në Gjermaninë perëndimore.

Në qendër të hetimeve është drejtori i kompanisë, 35-vjeçari Marvin Reuter, ndaj të cilit autoritetet franceze kanë lëshuar një urdhër-arresti evropian në muajin maj të këtij viti. Ai po kundërshton ekstradimin drejt Francës, ku mund të përballet me akuza për kontrabandim emigrantësh, bashkëpunim kriminal dhe vrasje nga pakujdesia.

Pajisjet e kompanisë së tij dyshohet se janë përdorur në dy incidente tragjike në Kanalin e La Manshit, ku humbën jetën katër persona.

Sipas hetimeve franceze, të paktën 82 varka të kompanisë MaReBoote kanë mbërritur në brigjet britanike gjatë një periudhe pak më shumë se dyvjeçare, deri në muajin maj. Ndërkohë, dokumentet e policisë gjermane sugjerojnë se 29% e kalimeve të zbuluara deri në fund të prillit të këtij viti përfshinin varka dhe/ose motorë të lidhur me këtë kompani.

Hetuesit dyshohet se kanë siguruar prova përmes dëshmive të personave të përfshirë në rrjetet e trafikimit, regjistrimeve të fshehta në qelitë e burgut dhe hetimeve mbi dy aksidentet fatale.

BBC dhe mediat partnere kanë raportuar se e kanë përballur Reuterin me dyshimet pranë biznesit të tij, në afërsi të Dortmundit. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve dhe deklaroi se do të denonconte gazetarët në polici.

Dyshimet për lidhje me vdekjen e emigrantëve

Një nga rastet që po hetohen lidhet me vdekjen e 19-vjeçarit sirian Suliman al Husein, i cili humbi jetën në janar të vitit 2025, gjatë një përpjekjeje të dështuar për nisjen e një gomoneje në perëndim të Calais.

Sipas raportimeve të kohës, i riu pësoi arrest kardiak, pasi dyshohet se ishte shtypur mes emigrantëve të tjerë në një gomone të mbipopulluar. Trupi i tij u gjet në dyshemenë e mjetit lundrues, i cili, sipas hetuesve, mbante logon e kompanisë MaReBoote.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me arrestimin e dy shtetasve gjermanë pranë qytetit portual francez Boulogne-sur-Mer, në muajin maj të këtij viti.

Policia ndaloi një automjet BMW me targa gjermane, i cili tërhiqte një rimorkio. Gjatë kontrollit u gjetën bidonë me karburant, një motor varke, pompa dhe një gomone e palosur.

Sipas procesverbaleve të marrjes në pyetje, dy personat pranuan se ishin paguar deri në 1.000 euro për çdo dërgesë të pajisjeve te persona të huaj në bregdet.

Njëri prej tyre raportohet të ketë deklaruar gjatë marrjes në pyetje: “Sigurisht që e dija se nuk ishte e ligjshme. Paratë më bënë të mbyllja sytë”.

Pesë persona të tjerë të akuzuar në Francë

Në kuadër të të njëjtit hetim, pesë persona të tjerë janë akuzuar tashmë në Francë: një shtetas iranian, tre irakianë dhe një sirian.

Prokurori francez Samuel Finielz konfirmoi se drejtuesi i një kompanie gjermane është objekt i një urdhër-arresti evropian, por nuk pranoi të komentonte hollësitë e hetimit.

Ai theksoi se shitja e varkave është plotësisht e ligjshme, por mund të kthehet në vepër penale kur shitësi është plotësisht në dijeni se pajisjet do të përdoren nga rrjete të përfshira në emigracionin e paligjshëm ose trafikimin e qenieve njerëzore.

Në vitin 2021, Reuter kishte deklaruar për gazetat britanike The Sun dhe The Guardian se ndihej i frustruar dhe i shqetësuar që varkat e kompanisë së tij kishin përfunduar në duart e trafikantëve.

Në atë kohë, ndaj tij nuk kishte dyshime publike për përfshirje në veprimtari kriminale

Reuter nuk mund të akuzohet zyrtarisht në Francë pa u ekstraduar, ndërsa në rast se gjykohet dhe shpallet fajtor, mund të përballet me burgim.

Ai konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco