Fundoset anija me 7 mijë tonë naftë pranë Ibizës, humb jetën një anëtar i ekuipazhit
Një anije që transportonte rreth 7 mijë tonë naftë është fundosur në orët e para të së enjtes, në brigjet veriore të ishullit Ibiza të Spanjës. Si pasojë, një anëtar i ekuipazhit ka humbur jetën, ndërsa 16 të tjerët kanë arritur të shpëtojnë.
Sipas shërbimeve të emergjencës në Ishujt Balearikë, anija me emrin Med Emre u fundos rreth 25 deri në 30 milje detare në veri të Ibizës, transmeton Telegrafi.
Drejtori i Përgjithshëm për Emergjencat dhe Punët e Brendshme në qeverinë e Ishujve Balearikë, Pablo Gárriz, bëri të ditur se alarmi ishte pranuar rreth orës 01:20, nga kapiteneria e portit të Ibizës. Sipas tij, anija kishte pësuar një çarje në trupin e saj, e cila përfundimisht shkaktoi fundosjen.
Pas incidentit, shërbimi spanjoll i shpëtimit detar ndërhyri me mjete lundruese dhe nga ajri, ndërsa në operacion ndihmuan edhe disa anije që ndodheshin në zonë.
🚨Emergències activa el PLATERBAL en nivell 0 per l’enfonsament d’un vaixell carregat de gasoil a 25 milles d’Eivissa7 dels 17 tripulants de l'embarcació han estat traslladats a Eivissa; un d’ells ha mortDes de la Direcció General d’Emergències i Interior del @goib s'està recopilant informació sobre l’accident i possibles conseqüències per valorar les decisions a prendreℹ️ https://t.co/e6PyuidoGI
— Emergències 112 Illes Balears (@Emergencies_112) November 26, 2026
Nga 17 anëtarët e ekuipazhit të shpëtuar, gjashtë u dërguan në aeroportin e Ibizës, ndërsa një tjetër u transportua drejtpërdrejt në spitalin Can Misses. Ai më vonë u shpall i vdekur, konfirmoi Gárriz.
Pas fundosjes, vëmendja e autoriteteve është përqendruar te pasojat e mundshme mjedisore, për shkak të sasisë së madhe të karburantit që transportonte anija.
“Po monitorojmë pasojat e mundshme mjedisore që mund të ketë ky aksident”, deklaroi Gárriz.
Për shkak të rrezikut të rrjedhjes së karburantit, autoritetet aktivizuan Planin Kombëtar për Ndotjen Detare në nivelin 2. Ndërkohë, qeveria e Ishujve Balearikë vuri në funksion edhe Planin Territorial të Mbrojtjes Civile të Ishujve Balearikë (PLATERBAL), në nivelin 0.
Deri më tani, shkalla e plotë e ndikimit të mundshëm në mjedis nuk është përcaktuar. Autoritetet po vlerësojnë situatën dhe nëse do të nevojiten masa shtesë për të parandaluar ose kufizuar ndotjen.
“Për momentin po presim vlerësimet që po kryhen dhe po ndjekim zhvillimin e mundshëm të kësaj situate”, tha Gárriz. /Telegrafi/





























