Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon shtyrjen e afateve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme deri më 31 dhjetor 2027. Nismën e ka propozuar deputeti Olsi Komiçi dhe ia ka përcjellë për shqyrtim kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi (Shkresa nr. 6573 prot., Tiranë, 18/11/2026). Projektligji parashikon një ndryshim në ligjin nr. 85/2025 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, me shtimin e nenit 2/1, të titulluar “Shtyrja e afateve”.
Sipas dispozitave të propozuara, afati për kryerjen e rivlerësimit nga individët shtyhet deri më 31 dhjetor 2027. E njëjta shtyrje vlen edhe për personat juridikë, të cilët do të kenë mundësi të kryejnë rivlerësimin deri në të njëjtën datë. Për kërkesat e paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por procedurat administrative nuk janë përfunduar brenda datës 31 dhjetor 2027, projektligji parashikon që këto procedura të përfundojnë deri më 31 mars 2028, duke u dhënë institucioneve një afat shtesë për trajtimin e kërkesave të depozituara.
Nisma përcakton edhe mënyrën e pasqyrimit kontabël për personat juridikë: për rivlerësimet e kryera gjatë vitit 2027, diferenca ndërmjet vlerës së re të pasurisë dhe vlerës kontabël duhet të reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2027. Në relacionin shoqërues argumentohet se shtyrja synon t’u japë subjekteve më shumë kohë për të përmbushur kërkesat dhe procedurat e nevojshme, si dhe të shmangë penalizimin e atyre që kanë paguar tatimin por presin përfundimin e procedurave administrative. Propozuesit theksojnë se projektligji synon gjithashtu të garantojë sigurinë juridike dhe një trajtim të qartë të efekteve të rivlerësimit për personat juridikë.
Relacioni përmend se nisma nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit. Projektligji është depozituar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim dhe parashikon që ligji i ri të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

