E pazakontë në futbollin aziatik, gjyqtari zëvendësohet pas akuzave për konsumim të alkoolit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në përballjen ndërmjet Al Jaziras nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe skuadrës iraniane Gol Gohar, në kuadër të Ligës së Kampionëve të Azisë 2.
Gjyqtari sirian, Hanna Hattab, u zëvendësua gjatë pushimit mes pjesëve, pasi skuadra iraniane e akuzoi se po e drejtonte takimin nën ndikimin e alkoolit.
Situata u tensionua në minutën e 32-të, kur Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, pas një aksioni që shkaktoi konfuzion në fushë.
Pas këtij vendimi, përfaqësuesit e Gol Goharit kërcënuan se skuadra nuk do të rikthehej në fushë për pjesën e dytë nëse gjyqtari sirian vazhdonte ta drejtonte ndeshjen.
Protestat e klubit iranian çuan në zëvendësimin e Hattabit, ndërsa arbitri i katërt mori përsipër drejtimin e takimit për pjesën e mbetur.
Megjithatë, akuzat se gjyqtari ishte nën ndikimin e alkoolit mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.
Gjithashtu, nuk është bërë e ditur nëse ndaj arbitrit sirian do të ndërmerren masa disiplinore.















