Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur gjatë natës fshatin Lalm i Ri në Lezhë. Një sasi tritoli është hedhur në oborrin e një banese në pronësi të një gruaje, pak pas mesnatës, duke shkaktuar panik në zonë. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Më datë 26.11.2026, rreth orës 02:55, në lagjen “Lalm i Ri”, Lezhë, në verandën e banesës së shtetases D. Gj., dyshohet se është hedhur një sasi lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, njofton Policia.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë mbledhur prova që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa mbetet për t'u zbuluar edhe motivi i vendosjes së lëndës plasëse në oborrin e banesës.