Moti i keq në Vlorë, anulohet linja detare me Brindisin, rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu
Reshjet intensive të shiut dhe përkeqësimi i kushteve atmosferike kanë vënë në gatishmëri strukturat e emergjencave civile në vend. Sipas njoftimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë datave 26 dhe 27 nëntor, qarqet Vlorë dhe Gjirokastër pritet të përballen me reshje intensive, deri lokalisht shumë intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Situata atmosferike paraqet rrezik për përmbytje të lokalizuara, veçanërisht në zonat urbane, ato të ulëta dhe në territoret ku sistemet e kanalizimeve dhe kullimit kanë kapacitete të pamjaftueshme. Gjithashtu, parashikohet rritje e prurjeve në lumenjtë kryesorë, përfshirë edhe lumin Vjosë, ndaj kërkohet monitorim i vazhdueshëm i situatës.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, janë marrë masa kufizuese edhe për lundrimin në Gjirin e Vlorës. Nga ora 15:00 e datës 25 nëntor deri në orën 20:00 të datës 26 nëntor, është ndaluar dhënia e lejeve të nisjes për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që synojnë të dalin në det të hapur.
Ndërkohë, është anuluar edhe lundrimi i trageteve në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë, për shkak të kushteve të përkeqësuara hidrometeorologjike.
Në det parashikohet erë nga drejtimi jug-juglindor me forcë 6-7 ballë dhe dallgë deri në 2.5 metra. Ndërsa anijet e transportit të mallrave dhe hidrokarbureve do të vijojnë operimin normal.




