Vendosni fjalën kyçe....

Kim Jong Un viziton fabrikat e materialeve bërthamore, kërkon zgjerimin e përdorimit të armëve taktike


Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vizituar disa fabrika që prodhojnë materiale bërthamore, si dhe një institut kërkimor, ku ka kërkuar zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përdorimin më të gjerë të armëve bërthamore taktike. Lajmi u bë i ditur të enjten nga mediat shtetërore të Koresë së Veriut, cituar nga DW.

Vizita u zhvillua të mërkurën, por agjencia shtetërore KCNA nuk bëri të ditur vendndodhjen e objekteve. Në fotografitë e publikuara, Kim shfaqet duke ecur mes rreshtave të pajisjeve që duket se janë centrifuga për pasurimin e uraniumit. Analistët kanë identifikuar gjithashtu koka të vogla bërthamore taktike të standardizuara, të ngjashme me modelin Hwasan-31.

Gjatë vizitës, Kim deklaroi se kapacitetet e Koresë së Veriut për prodhimin e materialeve bërthamore po zgjerohen vazhdimisht. Ai kërkoi që armët taktike të përdoren në zona dhe për misione të ndryshme, duke iu referuar kërcënimit që, sipas tij, vjen nga një shtet armiqësor në kufirin e vendit, në këtë rast Koreja e Jugut.

Kim akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po nxisin aleatët e tyre të kërkojnë nëndetëse me energji bërthamore dhe të ndajnë armët bërthamore.

“Zotërimi ynë i armëve bërthamore është një zgjedhje absolutisht e pakthyeshme, për sa kohë që ekzistojnë forca keqdashëse që i përdorin armët bërthamore si mjet për të arritur hegjemoninë”, deklaroi ai. Kim shtoi se çdo përpjekje për t’i mohuar Koresë së Veriut statusin e një shteti me armë bërthamore, të përfshirë në Kushtetutën e vendit në vitin 2023, do të konsiderohej si shpallje lufte. Ai theksoi se Pheniani nuk do të kërkojë miratimin e vendeve të tjera për këtë status.

Çfarë nënkupton vizita për dialogun?

Lim Eul-chul, profesor në Universitetin Kyungnam të Koresë së Jugut, tha për Reuters se vizita sinjalizon synimin e Kim për të ndryshuar kushtet e çdo negociate të ardhshme mbi programin bërthamor të vendit.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Koreja e Veriut po mbyll përgjithmonë mundësinë e dialogut me Shtetet e Bashkuara, por se po përpiqet të vendosë kushte më të larta për negociatat e ardhshme. Ai argumentoi se bisedimet për çnuklearizimin kanë marrë fund dhe se çdo negociatë e ardhshme do të zhvillohej mbi bazën e marrëdhënieve mes dy shteteve me armë bërthamore.

Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se kjo ishte vizita e katërt e Kim në një objekt bërthamor që nga shtatori i vitit 2024. Ajo u zhvillua rreth një javë pas pjesëmarrjes së presidentit amerikan Donald Trump në samitin e APEC-ut në Kinë, ku Kim nuk iu përgjigj publikisht ofertës për një takim. Trump i tha gazetës “New York Post” se udhëheqësi koreano-verior nuk e kishte injoruar ofertën, por se koha nuk ishte e përshtatshme.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut i kërkoi Phenianit të ndalojë justifikimin e zhvillimit të armëve bërthamore dhe të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat ndalojnë programet e tij bërthamore dhe të raketave balistike.