Këngëtarja e njohur Celine Dion ka ndarë një mesazh emocionues me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë gjatë periudhës së vështirë shëndetësore dhe rikthimit të saj në skenë. Me rastin e Ditës së Falënderimeve, të enjten, më 26 nëntor, artistja publikoi një mesazh në Instagram, ku falënderoi familjen, fansat, ekipin mjekësor dhe të gjithë bashkëpunëtorët që e ndihmuan të rikthehej te performancat muzikore. Në postimin e saj, Dion e cilësoi rikthimin në skenë si një dhuratë të jashtëzakonshme, duke theksuar se dashuria dhe mbështetja e njerëzve të saj të afërt kanë qenë vendimtare.
“Këtë Ditë Falënderimesh, zemra ime është e mbushur me mirënjohje. Për dashurinë e familjes sime, mbështetjen e pakushtëzuar të fansave të mi dhe dhuratën e jashtëzakonshme të rikthimit në skenë këtë vit. Nuk ka fjalë për të shprehur sa mirënjohëse jam”, shkroi këngëtarja. Ajo u ndal veçanërisht te njerëzit që e shoqëruan gjatë rrugëtimit të vështirë drejt rikthimit, duke vlerësuar punën e ekipit mjekësor dhe të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e shfaqjeve. “Kthimi në skenë pas kaq shumë vështirësish u bë i mundur falë një rrethi të jashtëzakonshëm njerëzish: ekipit tim mjekësor, ekipit tim personal, njerëzve të mrekullueshëm që i dhanë jetë shfaqjes dhe të tjerëve të panumërt në të gjithë botën, përpjekjet e të cilëve, të mëdha a të vogla, e bënë këtë moment realitet”, u shpreh ajo.
Në fund të mesazhit, Celine Dion falënderoi edhe një herë fansat që nuk reshtën së besuari tek ajo dhe që i qëndruan pranë gjatë mungesës së saj nga skena. Këngëtarja njoftoi në vitin 2022 se ishte diagnostikuar me Sindromën e Personit të Ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik që ndikon në kontrollin e muskujve dhe mund të shkaktojë spazma të forta. Sëmundja e detyroi të ndërpriste aktivitetin e saj muzikor dhe të përqendrohej te trajtimi. Pas një periudhe të gjatë larg publikut, rikthimi në skenë është një moment i rëndësishëm në karrierën e artistes, e cila përmes mesazhit të saj tregoi se sa shumë vlerë ka mbështetja e njerëzve në momentet më të vështira.
