Shpërthim me eksploziv në Lezhë, hidhet lëndë plasëse në verandën e një banese
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar dëme materiale në një banesë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:55 të datës 26 nëntor 2026, në lagjen “Lalm i Ri”, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse është hedhur në verandën e shtëpisë së një shtetaseje me inicialet D. Gj.
Nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar. Sipas të dhënave paraprake, pasojat e ngjarjes janë kufizuar vetëm në dëme materiale.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë të rastit.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e mundshme të këtij akti, si dhe për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë autorin ose personat e përfshirë në ngjarje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



