Aktualitet Politikë

Buxheti 2027 dhe Paketa Fiskale, sot Kuvendi mblidhet në seancë plenare!

Kuvendi i Shqipërisë sot mblidhet në seancë plenare, ku në rend dite është shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe një sërë projektligjesh me rëndësi ekonomike e financiare.

Në seancën plenare, para shqyrtimit të projektbuxhetit, deputetët diskutojnë Paketën Fiskale, me ndryshime në ligjet për Tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi vlerën e shtuar, Procedurat tatimore, Taksat kombëtare dhe Akcizat.

Një tjetër pikë e rëndësishme e rendit të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”, në fokus të diskutimeve parlamentare.

Në seancë shqyrtohen edhe projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet e sponsorizimet, si edhe drafti për kontabilitetin në sektorin publik.

Në rend dite janë përfshirë ndryshimet në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare e nisma për ngritjen e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”.

Deputetët do të shqyrtojnë dy akte normative të datës 28 tetor 2026, që lidhen me ligjin për tubimet dhe shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.

Pjesë e rendit të ditës janë edhe ndryshimet në memorandumin e mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, si dhe një projektvendim për përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.