Tre të arrestuar për krim të organizuar, sekuestrohet mbi një milion euro pasuri në aksionin ku mori pjesë edhe AKI-ja
Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, ka marrë pjesë në një aksion kundër krimit të organizuar, i zhvilluar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, ku janë arrestuar tre persona të dyshuar.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar të mërkurën, më 25 nëntor, në katër lokacione të ndryshme, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 19 vetura, një motoçikletë, gjashtë telefona, pesë kompjuterë, gjashtë USB, 4 mijë e 95 euro para të gatshme, si dhe 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike. Po ashtu, janë konfiskuar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin.
Sipas hetimeve, ekziston dyshimi se të arrestuarit, përmes sistemeve kompjuterike dhe komunikimeve elektronike e telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i mashtruar dhe nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.















