Protesta e transportit publik ka sjellë kaos në qarkullimin e automjeteve në Tiranë që në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Për shkak të mungesës së autobusëve, shumë qytetarë janë detyruar të presin në stacione, ndërsa një pjesë e tyre i janë drejtuar mjeteve private për të shkuar në destinacion. Kjo ka sjellë rritje të fluksit të automjeteve dhe radhë të gjata në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Greva e transportuesve zgjati tre orë, nga 05:00 deri në 08:00, kohë gjatë së cilës autobusët urbanë dhe ndërurbanë nuk qarkulluan në të gjithë vendin.
Pas kësaj ndërprerjeje qëndrojnë dy shoqatat e transportit, të cilat kanë dalë kundër ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027. Kundërshtia e tyre lidhet kryesisht me rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, një masë që, sipas operatorëve, do të shtonte kostot e funksionimit të shërbimit.
Transportuesit paralajmërojnë se pasojat e kësaj rritjeje mund të reflektohen te konsumatorët, përmes shtrenjtimit të biletave dhe aboneve. Për këtë arsye, kërkesa e tyre është që barra e ndryshimeve fiskale të mos përfundojë te qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.
Protesta u zhvillua në një ditë të rëndësishme për kalendarin parlamentar, pasi Kuvendi pritet të votojë Paketën Fiskale dhe projektbuxhetin për vitin 2027.
Në qëndrimin e tyre, shoqatat nënvizojnë se transporti publik nuk është thjesht një shërbim, por një domosdoshmëri për mijëra qytetarë që e përdorin për të shkuar në punë, shkollë, spitale dhe për të përmbushur nevojat e përditshme.