Europa vë 50 miliardë euro në lojë për garën e teknologjisë kuantike
Bashkimi Europian prezantoi të mërkurën planet për të përgatitur Europën për epokën e teknologjisë kuantike, duke synuar mobilizimin e investimeve deri në 50 miliardë euro në teknologjitë strategjike, për të konkurruar me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
Pas humbjes së terrenit në garën globale të inteligjencës artificiale, Komisioni Europian synon që Europa të bëhet lider botëror në teknologjinë kuantike deri në vitin 2030.
Një në tre kompani të teknologjisë kuantike ndodhet në BE, ndërsa Europa zotëron 44% të patentave në këtë fushë. Sipas Komisionit, tregu global i teknologjisë kuantike pritet të tejkalojë 155 miliardë euro deri në vitin 2040.
Europa mbetet pas në investimet private
Fondi i propozuar për Sovranitetin Teknologjik (STEF) synon të tërheqë deri në gjashtë euro kapital privat për çdo euro të investuar nga sektori publik.
Në vitin 2026, investimet publike europiane në teknologjinë kuantike pritet të arrijnë 8,6 miliardë euro, kundrejt 13,6 miliardëve në Kinë dhe 5,3 miliardëve në SHBA.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, Europa tërhoqi vetëm 1,1 miliardë euro investime private, krahasuar me 7 miliardë euro në SHBA.
Siguria kibernetike dhe pavarësia teknologjike
Propozimi parashikon kalimin drejt sistemeve të kriptografisë postkuantike deri në vitin 2030 për infrastrukturën kritike dhe deri në vitin 2035 për sistemet e tjera.
Industria europiane e ka mirëpritur nismën, duke kërkuar financim të dedikuar për startup-et dhe kompanitë në zgjerim. Ndërkohë, IBM dhe Cisco kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar./ EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









