Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e dosjes Meta-Kryemadhi, Fatime Kryemadhin, Piro Xhixhon dhe Ema Çokun.
Në përfundim të gjykimit, Fatime Kryemadhi është dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, por për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit është reduktuar në 5 vite.
Megjithatë, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit për shkak të moshës së saj, duke e vendosur në shërbim prove për një periudhë prej dy vitesh. Kështu, pavarësisht dënimit me pesë vite burg, ajo nuk do ta vuajë dënimin në qeli, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Ema Çoku u shpall fajtore për “veprime që pengojnë zbardhjen e se vërtetës”, dhe u shpall e pafajshme për veprën penale të pastrimit të parave. Gjykata e dënoi atë me dy vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul në 1 vit e 4 muaj burg.
Edhe për Çokun, Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e vendosur në shërbim prove për një periudhë prej 2 vite e 8 muajsh.
Ndërkohë, Pirro Xhixho është shpallur i pafajshëm nga GJKKO. Gjykata ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për sekuestrimin e vilës së Monika Kryemadhit, duke mos pranuar vendosjen e kësaj mase mbi pronën.
Akuzat ndaj Fatime Kryemadhit dhe Pirro Xhixhos
Fatime Kryemadhi ishte marrë e pandehur nga SPAK për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të kryer në bashkëpunim.
SPAK pretendonte se ajo kishte përfituar dhe përdorur shuma parash me origjinë të dyshuar të paligjshme, të lidhura me transaksionet financiare dhe pasuritë e familjes Meta-Kryemadhi.
Në qendër të hetimit ishte edhe pasuria e paluajtshme në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, për të cilën SPAK kishte kërkuar konfiskimin, me pretendimin se ishte krijuar me të ardhura të pajustifikuara.
Ndërsa Pirro Xhixho, ish-drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe babai i deputetes Erisa Xhixho, akuzohej për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të kryer në bashkëpunim.
Sipas hetimeve të SPAK, Xhixho dyshohej se kishte përdorur pozicionin e tij në AKEP për të ndikuar në favorizimin e interesave të caktuara private, në këmbim të përfitimeve të paligjshme. Megjithatë, në përfundim të procesit gjyqësor, GJKKO e ka shpallur të pafajshëm.
Si nisi hetimi i SPAK dhe lidhja me dosjen Meta-Kryemadhi
Çështja ndaj Fatime Kryemadhit dhe Pirro Xhixhos është pjesë e hetimeve më të gjera të SPAK ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Hetimi penal ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar gjatë viteve në vijim, duke përfshirë disa episode që lidhen me dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Në këtë dosje, SPAK ka hetuar edhe çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe transaksione të ndryshme financiare që prokuroria dyshon se kanë shërbyer për të fshehur origjinën e parave.














