Nga Ditmir Bushati
Javës që shkoi, isha i ftuar si folës në Konferencën e Sigurisë në Beograd. Nga takimet me aktivistë të shoqërisë civile atje, ndihet atmosfera e çlirimit, por ende jo shija e lirisë.
Falë organizimit të disiplinuar në terren dhe në hapësirën digjitale, duke shpërfillur median e kontrolluar tradicionale, studentët arritën një fitore të jashtëzakonshme. Ata dëshmuan se është e mundur të çahet rrethi i mbyllur i fuqisë së pakontrolluar të Aleksandar Vuçiqit, që e konsideronte veten të pathyeshëm.
Për të perifrazuar Vaclav Havelin, zgjedhjet në Serbi treguan se sa e madhe është “fuqia e të pafuqishmëve”, se sa e madhe është fuqia e rezistencës qytetare kur bëhen bashkë grupe shoqërore me pikëpamje krejt të ndryshme. Lëvizja Studentore në Serbi ngjason me Lëvizjen e Solidaritetit në Poloninë e fundviteve ’80 të shekullit XX.
Të dyja lëvizjet, megjithëse të larmishme nga ana e vlerave, shërbyen për të rrëzuar regjimet në fuqi duke siguruar mbështetje nga grupe të ndryshme shoqërore. Sikurse ndodhi me Revolucionin Francez që ndryshoi mënyrën e konceptimit të pushtetit politik, tani studentëve u duhet ta shndërrojnë lëvizjen qytetare nga poshtë-lart në një forcë parlamentare dhe qeverisëse.
Lista Studentore përbën një eksperiment të paprecedentë. Një lëvizje pa udhëheqës, që ndërthur demokracinë e brendshme me sekretin dhe disiplinën në raport me aktorët e jashtëm.
Demokracia e brendshme siguron përfshirjen dhe mbështetjen e anëtarëve, por ngadalëson vendimmarrjen. Fraksionet përbërëse të Asamblesë së Studentëve kanë mundësinë e vetos ndaj kandidatëve të propozuar për qeveri.
Asambletë i ngjajnë më shumë një konklave, anëtarët e të cilës e shohin veten si “aksionerë” të së ardhmes së Serbisë.
Sfida e menjëhershme është garantimi i një mekanizmi që mundëson qeverisjen dhe reformat, ndërkohë që Lista Studentore ruan përfshirjen e saj në rindërtimin e sferës publike.
Rruga në kërkim të dinjitetit dhe integritetit nuk do të jetë e lehtë. Çmontimi i pushtetit sapo ka filluar. Aleksandar Vuçiçi ka paralajmëruar se nëse ai arrestohet, një milion njerëz do të dalin në rrugë. Nuk duhet harruar se Vuçiçi qëndroi 14 vjet në pushtet. Dy vjet më shumë se Sllobodan Millosheviçi.
Qasja transaksionale e disa vendeve anëtare të BE-së ndaj pushtetit të tij, do t’i ndërlikojë marrëdhëniet e qeverisë së re me BE-në.
Megjithatë, përfshirja e BE-së do të jetë vendimtare në vendosjen e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe çlirimit të medias nga ndikimi politik e oligarkik. Vendosja nën kontroll e shërbimeve të sigurisë dhe të inteligjencës ushtarake do të jetë sfida më e vështirë.













