Vera von Lehndorff, e cila njihej gjerësisht me emrin Veruschka dhe mbetet ndër figurat më përfaqësuese të modës së dekadës së gjashtëdhjetë, u nda nga jeta të martën në Berlin, në moshën 87-vjeçare.
Konfirmimin e lajmit e dha familja e saj, ndërsa ende nuk është bërë publik shkaku i vdekjes.
Të lidhura
None found
E lindur më 14 maj 1939 në Prusinë Lindore, Veruschka kaloi një fëmijëri të rëndë, e cila u përshkua nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore.

I ati u pushkatua për shkak të rolit të tij në atentatin e dështuar ndaj Adolf Hitlerit në vitin 1944, ndërsa e ëma u arrestua dhe u burgos.
Ajo e filloi rrugëtimin në modeling në Itali, pasi ra në sy të fotografit Ugo Mulas, i cili e zbuloi për botën e modës.
Shumë shpejt, ajo u shndërrua në një prej modeleve më të dashura dhe më të paguara në skenën ndërkombëtare, duke punuar ngushtë me emra të mëdhenj të fotografisë dhe stilizimit si Richard Avedon, Irving Penn, Helmut Newton, Yves Saint Laurent dhe Karl Lagerfeld.
Popullariteti i saj mori një hov të madh pas rolit në filmin “Blow-Up” të regjisorit Michelangelo Antonioni.

Veruschka zbukuroi kopertinat e disa prej revistave më prestigjioze, mes tyre Vogue dhe Time, dhe u vlerësua si një prej ikonave që formësuan estetikën e viteve ’60.
Pavarësisht moshës së madhe, ajo vijoi të mbetej aktive dhe prezente në industrinë e modës deri në vitet e fundit.







